Kulturë

Teatri “Adriana” i Ferizajt kërkon staf rezident

Teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana”, synon që në 75-vjetorin e themelimit të ketë edhe ansambël rezident të aktorëve. Institucioni do të punësojë edhe staf të rregullt administrativ e teknik.

Është një kërkesë e papërmbushur tash e dy dekada. Për këtë i është drejtuar Komunës së Ferizajt, por ende nuk dihet se kur do të hapet konkursi për 18 vende të punës.

Me miratimin e buxhetit për këtë vit, në muajin mars tetë teatrove të qyteteve u është hapur rruga që të shpallin konkurse për staf rezident.

Teatri “Adriana” për këtë vit ka në dispozicion 173 mijë e 950 euro për staf të rregullt dhe për projekte teatrore. Janë 20 aktorë dhe 10 anëtarë të stafit mbështetës që punojnë me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta. Sikurse në krejt teatrot e qyteteve, shfaqjet janë realizuar me projekte të përkrahura nga komunat dhe Ministria e Kulturës.

Drejtori Fatmir Hyseni thotë se vonimi i miratimit të buxhetit të këtij viti e ka vonuar edhe procesin e angazhimit të stafit rezident.

Sipas Hysenit, kërkesa e tyre është që në kuadër të punonjësve të rregullt të jenë 12 performues të artit dhe kulturës, ku mund të hyjë edhe udhëheqësi artistik.

Albion Sherifi është shef i kabinetit të kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu. Sherifi, që është po ashtu anëtar i Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana” si përfaqësues i Komunës, thotë se pas kërkesës së Teatrit në ditët në vazhdim pritet hapja e konkursit për staf të rregullt.

Sa u përket projekteve të sivjetme, teatri “Adriana” ka dhënë premierë të mbyllur shfaqjen “Kontrolli dhe Makina e Dashurisë” me tekst dhe regji të Besim Ugzmajlit.