Kulturë

Tavani unik prej druri i shtëpisë së vjetër të familjes Riza

Është një nga tavanet e rralla që kanë mbetur në shtëpitë e vjetra të kryeqytetit. Mendohet të jetë punuar para rreth një shekulli nga mjeshtërit dibranë. Numëron mijëra pjesë të drunjta me formën e shkronjës S. Secila është punuar me majë brisku. Pos tavanit edhe muret janë të dekoruara, sidomos pjesa ku ishte banja apo, siç quhej asokohe, hamamxhiku.

Familja Riza do të zhvendosej nga Gjakova në Prishtinë në vitet ’50. E pikërisht tavani i kësaj shtëpie, në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër”, do të bëhej shkas që floktari Zenel Riza ta blinte ndërtesën.

Në vitet ’80 asokohe Muzeu i Prishtinës do të kërkonte ta blinte tavanin. Por familja Riza kishte refuzuar.

Bateristi i grupit “Gjurmët”, Petrit Riza që tash merret me guida turistike, tregon për KOHËN se historia e kësaj familjeje lidhet me shtëpinë dykatëshe në rrugën “Ibrahim Lutfiu”.

Familja e tij, në vitin 2000, do t’ia shiste shtëpinë familjes Shasivari. Këto ditë objekti do të rrënohet në mënyrë që aty të zërë vend një shumëkatëshe. Por edhe pronarët e rinj janë pajtuar që tavani t’i dhurohet Muzeut Etnologjik.

Të martën etnologët Bekim Xhemili e Ilir Sopjani së bashku me restauruesin Fadil Krasniqi kanë nisur punën. Do ta largojnë secilën pjesë të tavanit. Sipas tyre, bëhet fjalë për vlera të veçanta.

Tashmë e kanë caktuar vendin se ku do të vendoset ky tavan. Vizitorët do ta shohin në shtëpinë e shekullit XIX të Muzeut Etnologjik, që është në restaurim.

Sipas etnologëve, shembulli i familjeve Riza e Shasivari është tejet i mirë në raport me ruajtjen e trashëgimisë kulturore.