Kulturë

Ilire Vinca ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se aktorja kosovare Ilire Vinca është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Kjo qendër thotë se Vinca ka një karrierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.

“Ajo u bë e njohur edhe si aktorja e parë që mori pjesë në Berlinale me filmin ‘Falja e Gjakut’ në 2011, pastaj edhe me filmin ‘Burrneshat’ në 2015 po ashtu në Berlinale. ‘Zana’, ‘Pranverë e paharruar në fshatin e harruar’, ‘Gardhi’, dhe ‘Martesa’ janë disa nga filmat e fundit kosovar ku luan Ilirja”, thuhet në njoftim.

“Përderisa kufijtë na ndajnë, arti na bashkon pa dallim race e gjinie, ashtu siç janë ndjenjat dhe e vërteta. Jam e nderuar të jem anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit”, është shprehur Vinca.

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders dhe figura të tjera të njohura.

Bëhet e ditur se Ilire Vinca është anëtarja e 25-të nga Kosova që bëhet pjesë Akademisë Evropiane të Filmit.