Kulturë

“The Van” për Shqipërinë e trazuar, online në festivalin që sfidon pandeminë

“The Van” për Shqipërinë e trazuar, online në festivalin që sfidon pandeminë
Arben Bajraktaraj dhe Phénix Brossard në filmin “The Van”, i cili u dha premierë online në “We Are One”, që bashkoi festivalet më të njohura të filmit. Festivali i Filmit në Cannes ka qenë ai që e propozoi filmin e Erenik Beqirit për ngjarjen e cila u bë dritare për 21 festivalet e mëdha botërore

Ani pse kohë pandemie, “The Van” i Erenik Beqirit ka vazhduar rrugëtimin nëpër festivale. Mbrëmjen e së martës u dha premiera online. U shfaq në “YouTube”, në kuadër të edicionit të parë të festivalit online “We Are One”. Historia e Benit (Phénix Brossard), që i duhet të ndeshet me njerëz brenda një furgoni në mënyrë që të ketë një mundësi për t’u larguar nga Shqipëria, e plotëson mozaikun e më shumë se 100 filmave që janë bërë pjesë e këtij edicioni që u organizua, pasi që festivale të shumta të filmit u shtynë ose u anuluan për shkak të pandemisë. Sipas regjisorit dhe skenaristit të filmit Erenik Beqiri, festivali dhjetëditësh, që nisi më 29 maj, është i veçantë për faktin se ka bërë bashkë festivalet më të mëdha në botë. Festivali global i filmit “We Are One” që zgjat deri më 7 qershor, për këtë edicion u bë dritare e 21 festivaleve më të mëdha, në mesin e të cilëve ai i Berlinit, Cannes, Sundance, Toronto, Tribeca dhe i Venecias. Sipas Beqirit, shfaqja e filmave online mundëson që të njëjtët të shihen nga një audiencë me e madhe.

“Në fund të ditës filmat realizohen që të ndahen me të tjerët dhe jo për t’u mbajtur të mbyllur”, ka thënë Beqiri për KOHËN.