Kulturë

“Zatra Blue” me harmoninë nga distanca të treshes së jazzit të Kosovës

“Zatra Blue” me harmoninë nga distanca të treshes së jazzit të Kosovës
Me një video krejt të thjeshtë, “Zatra Blue” është lansuar për publikun. Ilir Bajri (piano), Enes Bajramliqi (bateri) e Taulant Mehmeti (kitarë) komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet gjuhës së pakufishme të muzikës

Një vepër miqsh mund të konsiderohet “Zatra Blu” e publikuar mbrëmjen e së hënën. Bën bashkë tre shokë, emrat e të cilëve janë në piedestalin e muzikën jazz në Kosovë. Pianisti Ilir Bajri, bateristi Enes Bajramliqi dhe kitaristi Taulant Mehmeti s’njohin kufij e distanca njashtu sikurse muzika. Është diçka që buron brenda tyre, harmonia vjen natyrshëm në binarët e vet. Mjafton që njëri ta nisë lojën në instrumentin që zotëron, të tjerët do ta ndjekin pas. Bashkë bëjnë muzikë që shumë vështirë mund të përthekohet brenda një zhanri, ani pse fjalën kryesore e ka jazzi. Por kur i kërkohet ta emërojë, Mehmeti, më i riu nga grupi, do ta quante “jazz të Kosovës”. Është kombinim i shijeve, kreativitetit dhe melodive të instrumentistëve. Instrumentali ka elemente të folklorit, pak funk, fusion jazz e world music. Gjithçka është bërë në distancë e duke shkëmbyer materialet që muzikantët kanë krijuar në shtëpitë e tyre, përmes internetit. Bajri e Bajramliqi nga Prishtina e Mehmeti nga New Yorku, ku ka kryer studimet e tash zhvillon karrierën e tij.

Kishte qenë pianisti Ilir Bajri ai që do ta kontaktonte bateristin Enes Bajramliqi, i njohur në skenën e muzikës si Enes Beu, për të bërë një incizim duke luajtur në tupanët e tij. Bajri i kishte thënë të luante sipas dëshirës e preferencave të tij personale.