Kulturë

Shkrimtari i luftës në beteja intime

Elliot Ackerman, që ka shërbyer pesë herë në krye të detyrës në Irak dhe Afganistan, është i njohur për romanet e tij të vendosura në skajet përvëluese të luftës. E përkora e tij e bukur “Waiting for Eden” tregohet prej një fantazme, shoku jetëndërruar i një ushtari të plagosur.

Një irakiano-amerikan që përpiqet të hyjë në Siri për “luftën e tij të dytë” është në qendër të “Dark at the Crossing”, dhe një afgan i ri është udhërrëfyes për lexuesit në librin e parë të tij “Green on Blue”. Pasi është marrë kaq mbresueshëm me fiksionin e luftës, Ackerman tani ka shkruar një roman pa asnjë ushtar të vetëm në të. Kush mund ta fajësojë atë? Ai sjell një lloj tjetër drame, një truall intrigash e rrengjesh, krejtësisht trallisëse, me burime të tjera të suspencës. Është vendosur në qytetin e madh të Stambollit.

“Para protestave në Gezi Park, e shoqja e tij e pabesë kishte qenë më e madhja prej problemeve”. Kështu mendon Murati, një zhvillues turk pronash që është mbytur në borxhe. “Ai merret me të tilla shqetësime të thjeshta. Por trazirat, politika, ato kanë korruptuar sistemin që dikur ishte i korruptuar besueshëm. Tash një leje ndërtimi nuk mund të blihet më”.

Drejtpeshimi i tij mes ngatërresave – një martesë e shkatërruar e lënë në hije nga krejt paqëndrueshmëria e vendit – bën me gisht nga ngjarja që pritet të vijë. Ne lexojmë për gruan që dëshiron të braktisë të shoqin e saj, por gjeopolitika dhe një “rrjet interesash e kundërinteresash” do të kenë të bëjnë me rezultatet. Catherine është gruaja atraktive amerikane e Muratit, një valltare e stërvitur që tani është administratore muzeu dhe patrone arti, dhe të dy bashkë kanë një djalë shtatë vjeç, William. Martesa e tyre nuk ka qenë romancë, dhe një aferë bën që Catherine të vendosë të rikthehet në Shtetet e Bashkuara me të birin e saj. Ajo planifikon të shkojë me të dashurin e saj, Peter, një fotograf amerikan që po përpiqet të bëjë karrierë në Stamboll.