Në këta dy vjetët e fundit, tragjedia greke në skenat e teatrove të Belgjikës dhe të Francës është bërë më e pranishme. Jehonë të veçantë pati vënia në skenë e dy pjesëve të Euripidit, “Oresti” (e shkruar në vitin 408 p.e.s.) dhe “Elektra” (e shkruar në vitin 410 p.e.s), si diptik në një shfaqje në teatrin nga më prestigjiozët të Parisit, në “La Comédie française“. Kurse,në Lyon u shfaq, në mbarim të vitit të kaluar, “Orestia” e Eskilit, nën regji të M. Lavaudant. Ndërkaq, regjisori Milo Raud vuri në skenë, në qytetin Gand të Belgjikës, shfaqjen “Oresti në Mosul”.
Regjisori i shquar belg Ivo van Hove e vuri në skenë shfaqjen “Elektra/Oresti“, si një diptik, edhe në Greqi në teatrin antik të Epidaurit, verën e kaluar. Në “La Comédie française“ kjo shfaqje u luajt në tre muajt e vitit të kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti. Ishte paraparë që ajo të luhej deri në muajin maj, por në fillim të muajit mars u ndërprenë shfaqjet kur u vendosën masat e izolimit për shkak të COVID-19. Këtë shfaqje e kam parë në muajin janar. Kjo shfaqje shpaloset me një ritëm të rrëmbyeshëm, me skena të dhunshme, me vrasje e hakmarrje të përgjakshme dhe me përplasje të pasioneve, të cilësuara më së shumti me urrejtje e mëri.
Shfaqjet e tragjedisë greke, me gjithë dallimet midis autorëve të mëdhenj Eskilit, Euripidit dhe Sofoklit, siç dihet, përshkohen me konflikte e tensione të ngjarjeve që shpijnë në kaosin e botës së brendshme të personazheve, por edhe atë të qytetit-shtet (polisi) dhe atyre që orvaten të mbajnë një lidhshmëri, ndonëse jo harmoninë ideale, midis aktorëve dhe botës.
Spiralja e vrasjeve dhe hakmarrjeve
Në mizanskenën e Van Hove mbisundon vargu i vrasjeve të përgjakshme që zhvillohen në një skenë të mbuluar me baltë, si një truall mbytës ku shemben lidhjet midis më të afërmve, vëllait dhe motrës me nënën e tyre, si edhe ato të gruas me burrin në një pallat mbretëror. Këto akte dhe atmosfera e përplasjeve të pasioneve shoqërohen me këndimet e korit, me një muzikë të ankthshme dhe vallëzimet që marrin ndonjëherë edhe karakter histerik. Regjisori e bën të theksuar në rolet e personazheve kryesore aspektin modern të Euripidit, duke nxjerrë në shesh lëvizjen dhe transformimin e emocioneve, me shpërfaqjen e subjektivitetit të tyre në situata të skajshme tragjike.
Aristoteli, zaten, e vlerësonte Euripidin si “poetin nga më tragjikët”. Ky aspekt do të ndërlidhet, gjatë rrjedhës dramatike të ngjarjeve, edhe me aludime të disa formave të dhunës në paralagjet e qyteteve të mëdha të disa shoqërive të sotme perëndimore. Regjisori mëton të vërë në pah disa korrespondenca midis spirales së konflikteve ku përfshihen personazhet e tragjedisë së Euripidit me trajta të dhunës që bart procesi i radikalizmit të të rinjve të këtyre shoqërive.
Të përkujtojmë këtu se këto dy tragjedi të Euripidit, sikurse edhe ato të Eskilit (“Orestia dhe Koeforat”) dhe Sofokliut (“Elektra”), janë frymëzuar me ciklin e legjendës së familjes së Atridëve, e mbretit të Mikenës, ndryshe nga ciklet e Trojës dhe ai i Tebës (me mbretin Edip). Madje, edhe shumë më herët, tek “Odiseu” i Homerit përmendet vrasja e Agamemnonit nga gruaja e tij Klitemnestra dhe dashnori i saj Egisti, i cili e rrëmben pushtetin mbretëror.