Kulturë

“Prishtina n’shpi” si një rrëfim imazhesh të pranverës së pandemisë

Prishtinë, 27 maj – Një mënyrë për ta thurur nëpërmjet imazheve narrativën e pranverës së sivjetme, që doli të jetë e pazakontë. E tillë ishte gara “Prishtina n’shpi”, organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe kolektivi “Andrrat Moderne” në bashkëpunim me artistë, disenjatorë dhe fotografë. Ata që e sprovuan veten e që u bënë pjesë e kësaj gare ia arritën goxha ta pasqyronin kryeqytetin, por edhe jetën brenda tij, të larmishëm, të zymtë e të çuditshëm.

Enis Imeri kapi sheshin e zbrazët ku shihet vetëm një qen endacak, Adi Beqiri kapi shtatoren e Fehmi Aganit me maskë, Kushtrim Tërnava dikë duke prerë flokët, Nok Selmani xhaxhain e tij 93-vjeçar, duke bërë ushtrimet e mëngjesit në ballkon e duke luajtur letra, Ardita Begu një vajzë duke shikuar fotografi të vjetra... Ky është vetëm një kalim fluturimthi nëpër 200 fotografitë e përzgjedhura që tashmë janë publikuar në ueb-faqen www.prishtina.photos. Kur situata të normalizohet, fotografitë do të bëhen tok në një libër e do të shfaqen për publikun edhe në ekspozitë.

Tri fotografitë fituese dhe rrëfimet prapa tyre e plotësojnë këtë mozaik. Vendin e parë e ka zënë Nik Morina, ku shihet nipi i tij duke pikturuar, të dytin Redon Kika duke darkuar me miq dhe të tretin Andra Dauti e Fiona Abdullahu, duke pozuar me fustane e grim para frigoriferit plot.

{gallery}