Kulturë

Muzeu Etnologjik - peng i restaurimit që nuk rinisi për gati tre vjet

Dita e parë e gushtit të vitit 2017 solli një lajm gëzimi për punonjësit e Muzeut Etnologjik në Prishtinë. U njoftuan se do të nisë restaurimi i njërës prej dy ndërtesave, asaj të shekullit XIX. Entuziazmi i tyre ishte gati i nivelit të 27 korrikut të vitit 2006, kur zyrtarisht u hap Muzeu Etnologjik në Prishtinë.

Dy ndërtesa të kompleksit “Eminxhiku”, shtëpi tipike qytetare që dëshmojnë jetën në shekujt XVII dhe XIX, për 11 vjet radhazi do të ishin monumenti më i vizituar në Kosovë. Koha kur u ndërtuan si faktor kryesor e edhe amortizimi që i shkaktuan grupet e vizitorëve kureshtarë për mënyrën e jetesës në shekujt e kaluar, kanë bërë që Muzeu të ketë nevojë të madhe për konservim e restaurim. Më 2 gusht 2017 punonjësit do të nisnin zbrazjen e objektit. Elementet e çardakut, ato të dhomës së mysafirëve, ato të nuseve e të dhomës ku zinin vend kufomat do të dërgoheshin në përdhesen e ndërtesës tjetër që ishte lënë për t’u restauruar më vonë.

Vonesa në nisje

“Kishte ide të ndryshme. Por unë isha i sigurt që restaurimi nuk do të merrte më shumë se gjashtë muaj deri në një vit”, kujton etnologu Bekim Xhemili, i cili është ciceron në Muze qysh prej ditës së hapjes së institucionit. Por tash janë bërë fiks dy vjet e dhjetë muaj prej kur objekti është i mbyllur për vizitorë. Pas zbrazjes së ndërtesës prej eksponateve, puna për restaurim nuk kishte nisur menjëherë. Pas tre muajve, më 27 tetor, u shndërrua në punishte. Gjatë nëntorit e dhjetorit muret e brendshme të objektit ishin zhveshur deri në skelet. Dyshemeja është larguar krejtësisht, përderisa ndërtesa mbahet në këmbë vetëm nga shtyllat e drunjta. Edhe qerpiçët janë larguar nga muret e brendshme. Tjegullat e kulmit janë larguar, e mosdepërtimi i ujit të reshjeve atmosferike bëhet i mundur nëpërmjet izolimit me llamarinë. Përderisa nga brenda objekti ka mbetur vetëm në shtylla, mureve të jashtme u është larguar llaçi deri në thupra. Puna është ndërprerë në ditën e 30-të të dhjetorit 2017. Sapo kishte nisur ndërhyrja qe konstatuar se ky objekt − njëri prej dy kryesorëve – të kompleksit “Eminxhiku” − rrezikonte të shembej.

Shpejt ishte konstatuar se gjatë ndërhyrjes kishte dalë 70 për qind punë më shumë sesa ishte paraparë me projekt. Gjurmimet brenda mureve do të nxirrnin në pah se nevoja për restaurim ishte më e madhe sesa që ishte menduar. Ministria e Kulturës, në buxhetin e paraparë për vitin 2017, kishte projektuar 80 mijë euro për ndërhyrjet në dy objektet e kompleksit. Për vitin 2018 ishin planifikuar 50 mijë euro. E 30 mijë për vitin 2019. Por asnjëherë nuk ka rinisur puna pas ndërprerjes që ishte bërë shkaku i kushteve atmosferike.

Dritaret, dyert, vitrinat ekspozuese, ashtu sikurse eksponatet e drunjta e ato të tekstilit, po ashtu planifikohet t’i nënshtrohen procesit të restaurimit. Trajtimi i tyre për herë të fundit ishte bërë më 2006. Në pranverën e vitit 2018 duhej punuar projekti i ri i restaurimit. Ajo punë mori kohë e doli të jetë e pamundur të nisë puna gjatë muajve të verës kur mund të bëhen restaurime të monumenteve të tilla. Kurse, viti 2019 solli keqplanifikim buxheti.

Mungesa e buxhetit

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se më 2019 projekti ishte gati dhe është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por me 30 mijë euro nuk mund të nisej puna. Planet e MKRS-së ishin që gjatë rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar të shtoheshin mjete për “Eminxhikun”, që ndodhet në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër”. Por në korrik ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje e më pas është shpërndarë Kuvendi dhe nuk ishte bërë rishikimi i buxhetit. MKRS-ja kishte bërë një kërkesë për shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por nuk ishte aprovuar menjëherë.

“Në fund të vitit fiskal na janë miratuar 100 mijë euro. Por ishte shumë vonë për t’i nisur procedurat e prokurimit”, ka thënë Aliu. Sipas saj, por edhe sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të këtij viti, MKRS-ja që të rinisë punën, ka ndarë 120 mijë euro.

“Ne kemi paraparë 120 mijë euro dhe mund t’i nisim procedurat e prokurimit”, ka thënë Aliu. Sipas saj, është çështje ditësh se kur do të nisin procedurat e prokurimit. Vitin e kaluar, vetëm me 50 për qind të kapaciteteve, Muzeu Etnologjik, sipas të dhënave të punonjësve, numëron mbi 10 mijë vizitorë, kryesisht ndërkombëtarë. Tash e më shumë se dy vjet nuk lejohen vizitat grupore të shkollave. Se puna do të nisë shpejt ka paralajmëruar edhe ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi. “Si prioritet të restaurimit e funksionalizimit të muzeve kemi Muzeun Etnologjik”, ka thënë ajo. Dëmi që i është bërë Muzeut në pamundësi për t’u vizituar njëri prej dy objekteve del të jetë i madh.

Në një artikull të botuar në janar të këtij viti, e përditshmja britanike “The Guardian” ka dhënë profilet e 12 muzeve nga Reykjavíku në Prishtinë, një shpalim interesant nga dinozaurët dhe vikingët e deri te Mozarti. E sipas vlerësuesve të “The Guardianit”, Muzeu Etnologjik në Prishtinë renditet përkrah muzeve të njohur si “Palazzo Massimo” në Romë, “M9” në Venecie apo Muzeu i Shkencave Natyrore në Bruksel. Përshkrimi është bërë nga aktivistja dhe përkthyesja, Elizabeth Gowing. Ajo është prej meritorëve kryesorë që Muzeu Etnologjik është bërë pjesë e guidave turistike të gjithandej Evropës.

“Po prisni qypa të pluhurosur e qilima? Jo kështu në këtë muze të hirshëm, në dy shtëpi të bukura e të ruajtura osmane, në kryeqytetin e shtetit më të ri në Evropë. Ciceronët do t’ju japin një udhëtim entuziast përreth hapësirave të dikurshme elegante që dikur banoheshin – nga ‘vendi i zjarrit’ në kuzhinë e deri te rehatia që u ofrohej miqve në çdo orë të ditës a natës, në përpikëri me ligjet e rrepta shqiptare të mikpritjes. Tradita të tilla qartësisht vdesin ngadalë dhe ciceronët që flasin anglisht do të mbledhin për ju arra e mana nga kopshtet e muzeut”, ka shkruar Gowing, e cila prej vitesh ka punuar për promovimin e këtij muzeu.

Sa i përket restaurimit, ka thënë se ka ekzistuar nevoja për këtë ndërhyrje. “Por nuk është e qartë se për çfarë arsyesh nuk ka përfunduar deri tash. E di sa ka qenë zhgënjyese për turistët, si dhe vizitorët nga diaspora që nuk kanë pasur mundësi t’i shohin dy objektet. E ka çmuar faktin se njëri objekt deri më 13 mars të këtij viti ka qenë i hapur. Ishte mbyllur deri më 18 maj shkaku i masave të marra për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. E në prill është publikuar edhe projekti në 3D, ku vizitorët mund të bënin shëtitje virtuale në monument.

“Patjetër që harxhimi i parave është mënyra më e mirë për me kuptue ku janë prioritetet e një ministrie ose një qeverie. Pra, po shpresoj që prioritetet për ruajtjen e trashëgimisë, si dhe për përfaqësimin e denjë të trashëgimisë së vendit do të shihen sa më parë”, ka thënë shkrimtarja në një përgjigje në gjuhën shqipe.

Dëmet e ngecjes së punimeve

Etnologu Bekim Xhemili ka thënë se është esenciale që restaurimi të rinisë sa më shpejtë. Por ka drojë. Ka përmendur rastin e Hamamit të Madh në Prishtinë, ku gjatë restaurimit ishte bërë punë joprofesionale e për gati një dekadë ndërtesa qëndron e mbyllur dhe pa një plan për ta kaluar krizën.

“Që nga viti 2015, Kosova është bërë pjesë e tureve ballkanike, por dhe Muzeu Etnologjik që nga ai vit është atraksioni kryesor në Prishtinë nga vizitorët e huaj, sipas ‘Tripadvisor’ dhe shumë gazetave dhe revistave turistike”, ka thënë Xhemili. Sipas tij, edhe viti 2020 e gjeti Muzeun në vendin e parë sa i përket numrit të vizitorëve. Për të është i çuditshëm, por edhe fatlum fakti që numri i vizitorëve të huaj nuk ka rënë asnjëherë, përkundrazi është ngritur nga viti në vit. “Hendikep tjetër është dhe pjesa e edukimit të gjeneratave të reja përmes Muzeut. Shkollat që nga fundit i vitit 2017 nuk kanë pasur mundësi që t’i sjellin nxënësit përmes grupeve të organizuara”, ka thënë ai.

Etnologu Valon Shkodra, prej hapjes së Muzeut e deri në janar të vitit 2017, ka punuar në këtë institucion. Do ta linte për t’u bërë hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në fillim të këtij viti ka botuar librin monografik, “Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij”. Në këtë vepër, ai tjerr në detaje krejt elementet historike të Muzeut.

Sipas tij, aty qytetarët kanë mundësi që të njihen, për së afërmi, me mënyrën e jetesës në Kosovë në periudha më të hershme. Ka thënë se për­mes eks­po­zitës vizitorët kanë mundësi që të mësojnë për të ka­lu­a­rën e Kosovës në fshat e qytet, gjendjen ekonomike dhe sociale të njerëzve. Sipas tij, Muzeu Etnologjik i Prishtinës pasqy­ron dhe ref­lekton aspekte të ndryshme kul­­turore. “Ky muze mund të themi se është shembull për prezantimin dhe promo­vi­min e trashë­gi­misë kulturore për vizitorë vendorë dhe ndër­kom­bëtarë. Është vend i rëndësishëm për edu­ki­min e gjeneratave të reja, të cilët vijnë në muze me pedagogët e shkollave, me prindër dhe sho­që­ri, gji­th­ashtu është vend i kujtimeve, frymëzimit, mësimit dhe kohës së lirë”, ka thënë ai. Si nevojë parësore e ka konsideruar restaurimin e ndërtesave. Zvarritja e restaurimit të Muzeut Etnologjik, sipas tij, lë për të kuptuar edhe menaxhimin e dobët nga institucionet përkatëse. “Është dëm i madh që një muze, me ekspozitë të instaluar në shtëpi të shekullit XVIII, një ndër shtëpitë më të vjetra, jo vetëm në kryeqytet, por në Kosovë, të lihet në harresë, të lihet të dëmtohet çdo ditë, kjo është e papranueshme”, ka thënë ai. Ka rekomanduar që institucionet të marrin shembuj të mirë në vendet e rajonit sa u përket investimeve në trashëgimi kulturore.

Por, restaurimi i dy prej katër objekteve të “Eminxhikut” nuk është problemi i vetëm sa i përket kompleksit. Institucionet janë në hall edhe me dy ndërtesa të tjera. Prej majit të vitit 2017, kompania që ishte duke bërë ndërhyrje emergjente në objektin që njihet si ahur në këtë kompleks, nuk ka pasur ndonjë aktivitet. Ministria e Kulturës ende s’ka zgjidhje me qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në lidhje me shfrytëzimin e Shtëpisë së Gurit, që është objekti i katërt i këtij kompleksi. MKRS-ja i kishte akuzuar udhëheqësit e “Stacionit” si uzurpatorë, që prej vitit 2010 nuk kanë leje për shfrytëzimin e objektit. Kishte dhënë edhe afat për lëshimin e objektit, por ai nuk qe respektuar.

Folegj: Si nevojë parësore, etnologu Valon Shkodra e ka konsideruar restaurimin e ndërtesave. Zvarritja e restaurimit të Muzeut Etnologjik, sipas tij, lë për të kuptuar edhe menaxhimin e dobët nga institucionet përkatëse. “Është dëm i madh që një Muze, me ekspozitë të instaluar në shtëpi të shekullit XVIII, një ndër shtëpitë më të vjetra, jo vetëm në kryeqytet, por në Kosovë, të lihet në harresë, të lihet të dëmtohet çdo ditë, kjo është e papranueshme”, ka thënë ai

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Shaban Maxharrajt dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK- së).