Kulturë

Paradoksi i emigrimit në Amerikë

Descriptive Text

Për historianët e emigrimit, paradoksi është i pashmangshëm dhe i patejkalueshëm: Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe janë një komb emigrantësh dhe një komb që ndërsen periodikisht luftëra kundër tyre.

Si kandidat dhe president, Donald J. Trump (gjyshi i të cilit, nëna dhe gruaja e parë dhe e tretë ishin emigrantë), me ndihmën e dy këshilltarëve të tij për emigrim, Stephen Miller (stërnip emigrantësh) dhe Jared Kushner (stërnip i të mbijetuarve të Holokaustit), ka përshkallëzuar dhe hapur fronte të reja në këtë luftë.

Më 19 prill, në mes të pandemisë së koronavirusit, “The New Tork Times” njoftonte se administrata e Trumpit ka deportuar “mijëra njerëz në vendlindjet e tyre, përfshirë edhe disa që ishin të sëmurë me virusin”, dhe që “janë rritur me të madhe shpërnguljet e fëmijëve dhe tinejxherëve”.

Ditën tjetër presidenti deklaroi përmes një “cicërime” se ai kishte ndërmend të pezullonte përkohësisht emigrimin. Ne nuk i dimë pasojat e deklarimeve të fundit të presidentit. Krejt çka dimë është se lufta kundër emigrantëve do të vijojë edhe më tej. Kështu vjen edhe përnjohja se ky është një komb emigrantësh dhe mirërrojtja amerikane ngrihet, jo pak, mbi këta emigrantë. Historianët e emigrimit janë si burrat e verbër në parabolën e moçme indiane që bien mbi një elefant. Burri i parë, duke rënë anash kafshës, mëtoi se gjeti një mur; i dyti, duke prekur bririn, thotë se gjeti ushtë; i treti, duke kapur feçkën, mendoi se gjeti një gjarpër.

Autorët e dy librave që po recensohen i përqasen historisë së emigrimit të Shteteve të Bashkuara nga një perspektivë krejt e ndryshme dhe arrijnë në përfundime të ndryshme.

Aty ku Jia Lynn Yang në “One Mighty and Irresistible Tide: The Epic Struggle Over American Immigration, 1924-1965” fokusohet në hapjen e dyerve të Amerikës më 1965 për ata që ishin dikur të dëbuar, “The Deportation Machine: America’s Long History of Expelling Immigrants” i Adam Goodmanit përshkruan një komb që për më shumë se një qindvjetësh ka diskriminuar emigrantët meksikanë.

Yang, zëvendësredaktore e “The Times”, e hap përshkrimin e saj me Aktin e Emigrimit të 1924-s, që e afirmoi dhe zgjeroi përjashtimin e aziatikëve, vuri kuota kombëtare për evropianët dhe e kufizoi rëndshëm emigrimin nga Evropa Jugore dhe ajo Lindore. Ajo pastaj përvijon rrugën e politikanëve dhe aktivistëve që, gjatë katër dekadave të ardhshme, fushatuan për një akt jodiskriminues të emigrimit. Historia e saj përmbyllet – ngjadhnjimtarisht – me kalimin e Aktit të Emigrimit dhe Natyralizimit më 1965.

Për shkak se ky është një tregim gjysmëmoralist i fitores së reformatorëve tolerantë mbi obstruksionistët urrejtjendjellës, Yang vërtitet përreth ironisë qendrore në përshkrimin e saj historik: që dy prej provizioneve më të rëndësishme të aktit të vitit 1965, hapja e dyerve për emigrantët aziatikë dhe mbyllja e tyre, përmes imponimit të kuotave, për amerikano-latinët, kryesisht meksikanët, nuk ishin pjesë e agjendës reformatore gjatë “përpjekjes epike” 40-vjeçare që është subjekti i librit të saj.