Kulturë

Rikthimi i “BBC Three”

Transmetuesi prestigjioz britanik BBC është duke e shqyrtuar mundësinë e rikthimit të “BBC Three”, në cilësinë e një kanali të rregullt televiziv, katër vjet pas ndaljes së transmetimit direkt dhe transferimit në opsionin në internet

Kanali i të rinjve, i cili ka prodhuar hitet si “Normal People” dhe “Fleabag”, pritet që kësisoj ta dyfishojë buxhetin e tij.

Ky kanal ndaloi së transmetuari në vitin 2016, për të kursyer 30 milionë funte, pasi që korporata kishte njoftuar se të rinjtë tashmë po shikonin më shumë shfaqje në internet.

BBC-ja tani ka njoftuar se “po e shqyrton mundësinë” për ta kthyer kanalin në “televizion linear”.

“Do të gabonim po të mos e mbështesnim një shërbim që po funksionon mirë, sesa që do të mund ta merrte me mend ndokush”, ka thënë një zëdhënës i BBC-së.

Rikthimi do të njoftohet zyrtarisht si pjesë e planit vjetor të BBC-së të enjten, por ende nuk ka ndonjë të dhënë lidhur me fatin e “BBC Four”, i cili është përfolur se do të mund të largohej.

Korporata ka paralajmëruar se kthimi i “BBC Three” sërish në ekranet televizive do të nënkuptojë reduktime në sferat e tjera, veçanërisht pasi që të ardhurat e BBC-së janë zvogëluar për 125 milionë funte gjatë shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Korporata ka njoftuar, po ashtu, se vendime nuk do të merren deri në vjeshtë, deri të krijohet një pasqyrë më e qartë mbi financat e BBC-së.

Megjithëkëtë, BBC-ja ka njoftuar se aktualisht nuk ka plane për ta mbyllur “BBC Four”.

Ndikim më i madh

“BBC Three” ishte lansuar në vitin 2003 dhe kishte bërë nam me hite si “Little Britain” dhe “Gavin & Stacey”.

Viteve të fundit kanali ka qëndruar po ashtu prapa komedive dhe dramave të suksesshme, si “This Country”, “People Just Do Nothing”, “My Left Nut” dhe “Killed By My Debt” që kishte fituar një çmim në Bafta.

Ka prodhuar po ashtu “reality show”-ët “Drag Race UK” dhe “Glow Up”; por edhe dokumentarët goditës, si ai i hulumtimit të Stacey Dooleyit dhe “Odd One Out” të Jesy Nelsonit.

“Normal People”, një adaptim i romanit të Sally Rooneyit, kohët e fundit e ngriti “BBC Three” në javën më të madhe në “iPlayer”, me 21.8 milionë kërkesa për programet e kanalit.

Shfaqjet e këtij kanali janë transmetuar rregullisht në televizion, por edhe në transmetimet online, përfshirë në një zonë dedikuar “BBC One”, pas “News At Ten”, qysh nga pranvera e vitit të shkuar.

Kur u transferua në internet në shkurt të 2016-s, “BBC Trust” kishte njoftuar se “dëshmitë e pavarura kanë treguar se audiencat më të reja po shikojnë shumë më tepër në internet sesa në transmetime televizive”.

Megjithëkëtë, “BBC Three” arriti një shikueshmëri prej 8 për qind mes personave të moshave 16-34-vjeçare në javë gjatë viteve 2018-2019, dukshëm më pak se 22 për qind sa ishte gjatë viteve 2015-2016.

Audiencë potencialisht më masive

BBC-ja tani ka bërë të ditur se hulumtimet e saj kanë treguar se ekziston një audiencë potencialisht më e madhe për transmetimet televizive të programeve të kanalit, për të cilat korporata ka njoftuar se po arrijnë një audiencë si mes të rinjve ashtu edhe atyre më të gjëra me “shifra shumë më të mëdha”.

Lajmi është bërë i ditur dy muaj pasi drejtori i përgjithshëm, Tony Hall, u ka thënë ligjvënësve britanike se bordi është në kërkim të “investimeve më të mëdha për ‘BBC Three’, me qëllim të krijimit të përmbajtjes kreative për më të rinjtë”.

Por meqë kjo korporatë ka nevojë për të gjeneruar kursime, ka pasur spekulime se “BBC Four” mund të jetë njëra prej “viktimave”.

Një peticion që bën thirrje që kanali të shpëtohet ka tërhequr deri më tani më shumë se 58.000 nënshkrues.

Në kuadër të planit të saj, BBC-ja ka bërë të ditur se është duke “i eksploruar mundësitë potenciale komerciale” jashtë Mbretërisë së Bashkuar, në mënyrë që “BBC Four” të shndërrohet në një shërbim global me abonim.

BBC

 

Image