Kulturë

MKRS-ja dhe Komuna pajtohen për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Manastiricë

Drejtuesit e Ministrisë së Kulturës dhe ata të Komunës së Prizrenit të mërkurën kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë. Sipas të dhënave zyrtare, vlera financiare e këtij projekti është 300 mijë euro dhe parashihet të jetësohet deri në vitin 2022.

“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum, i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor”, ka thënë ministrja në detyrë e MKRS-së, Vlora Dumoshi, e cila është shoqëruar nga ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi. Dumoshi ka shtuar se MKRS-ja ka 18 projekte në realizim në këtë komunë dhe në mesin e tyre ka veçuar projektin për krijimin e Muzeut të Filigranit.

“Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me Komunën për Muzeun e Filigranit”, ka deklaruar Dumoshi, duke u zotuar edhe për mbështetjen e festivaleve tradicionale të Prizrenit.

Ndërsa kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka theksuar se me ministren Dumoshi ka diskutuar projektet e shumta që po realizohen në këtë komunë.

“Sot e kemi projektin e ri, ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë, si dhe 4-5 projekte të reja, që janë të rëndësishme për fshatrat. Pos kësaj diskutuam edhe për mbarëvajtjen e projekteve të tjera që janë duke u realizuar”, ka thënë Haskuka, duke uruar që bashkëpunimi i mirë me MKRS-së të vazhdojë, ashtu që të përfundohen të gjitha projektet e nisura.