Për vite me radhë, ato janë mbajtur në “errësirën” e depos së Galerisë Kombëtare të Kosovës. I konsideruar si një nga thesaret më të mëdha në vend – me vepra edhe të Andy Warhol, Cy Twombly, Henry Moore, Victor Vasarely etj – fondi nuk ka pasur mundësinë t’i shpalosej publikut në mënyrë të përhershme.
Por, fillimi i punimeve për rivitalizimin e Strehimores së Artit duket se do të jetë njëfarë zgjidhje për këtë problem. Të enjten, Komuna e Prishtinës ka njoftuar për fillimin e punimeve në projektin që e shndërron objektin njëkatësh në rrugën “Enver Maloku” në “Strehimore të artit”.
Teksa ka theksuar mungesën e hapësirave të nevojshme për ekspozimin e koleksioneve të GKK-së, sipas komunës, “projektet dhe hapësirat e tilla janë të rëndësishme për zhvillimin e artit e kulturës në Prishtinë dhe emancipimin e të gjithëve pa dallim”.
Hapësira e kësaj “strehimoreje” llogaritet të jetë pak mbi 300 metra katrorë të ndara në 12 dhoma. Ndonëse ajo nuk arrin as për së afërmi të akomodojë korpusin koleksionuar të GKK-së, fillimi i punimeve për rivitalizimin e saj është vlerësuar si inkurajues.
Për zëvendësministrin në detyrë të Kulturës, Yll Rugova, ky projekt duhet parë jo si zgjidhje e një problemi, por fillim i zgjidhjes.
Sipas tij, është e domosdoshme të ketë një ndërtesë më të madhe e më adekuate sipas standardeve të kohës për një koleksion si ai i GKK-së.
“Ai do të duhej të ishte një ambient që krahas ekspozimit, do të mundësonte edhe programe hulumtuese, edukative, e po ashtu edhe program të konservimit të veprave”, ka thënë Rugova.
Vendndodhjen e “Strehimores” në rrugën “Enver Maloku”, afër shkollës “Ismail Qemali” dhe Rrugës B dhe C në lagjen “Mati”, ai e ka vlerësuar si lokacion “shumë të përshtatshëm për hapësirë kulturore”.