Kulturë

Sislej Xhafa vë në pikëpyetje konceptin e shtëpisë në kohë pandemie

Sislej Xhafa vë në pikëpyetje konceptin e shtëpisë në kohë pandemie
Folegjenda: Pamje nga metrotë e New Yorkut janë kryefjala e videove, me të cilat Sislej Xhafa zbërthen paradoksin e shtëpisë në kohë të pandemisë
 

Mbajtja e distancës sociale, së paku një metër e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në metrotë e mbingarkuara të New Yorkut, para pandemisë së virusit COVID-19 do të konsiderohej si diçka absurde. Zhurmat, diversiteti i njerëzve dhe afërsia e tyre ishin diçka e zakonshme. Mirëpo, situata me koronavirusin ka krijuar koncepte të reja në lidhje me hapësirën publike. Kjo i ka rënë në sy edhe artistit të njohur nga Kosova, Sislej Xhafa, i cili jeton në metropolin amerikan. Ai gjatë një xhiroje nëpër metrotë e New Yorkut ka vënë në pah shumë gjëra që më parë kanë qenë të padukshme e njëkohësisht ka vënë në pikëpyetje edhe konceptin shtëpi. I ka përthekuar të gjitha këto përmes disa videove që janë publikuar nga “Galleria Continua” në faqen e saj në “Facebook”.

Njëra video është realizuar pikërisht në metro. Aty, një i pastrehë veshur ka një xhaketë me ngjyrë kafe ku dallohet qartë numri 98. Ka fjetur në ulëset që në situata të zakonshme do të ishte sfidë për t’i gjetur të lira për të zënë vend për t’u ulur. Edhe një video tjetër e realizuar jashtë metrosë, në platenë e saj, ka pamje të ngjashme me ato që janë realizuar brenda. Metroja largohet, e në platenë e metrosë së zbrazët, Xhafa i cili i ka realizuar këto video së fundi, kap me kamerë një të pastrehë që është shtrirë në ulëset e stacionit të metrosë, shkruan sot Koha Ditore.