Arta Gashi-Loxha qysh se e mban veten në mend thotë se arti vizual ka qenë gjithnjë i pranishëm tek ajo. Kur kishte nisur klasën e parë në Manhattan të New Yorkut, në detyrat e shkollës, shkrimi i fjalive zinte vetëm një pjesë në krye të faqes ku shkruante. Pjesën tjetër e rezervonte për ta përcjellë me ilustrime. Kështu vazhdon edhe sot. Me laps dhe stilolaps lëviz në fletën e bardhë për të krijuar forma të ndryshme të figurave.
Ditët e karantinës për shkak të masave për parandalimin e koronavirusit, veçse i kanë dhënë më shumë hapësirë t’i dedikohet vizatimit.
Seria e letrave të realizuara në karantinë
Kultura e tradita si në shumicën e punimeve të saj janë shkas edhe për serinë që është duke e realizuar këto ditë. Imazhet në letrat që përdoren për të zhvilluar lojëra të ndryshme – ndër to edhe atë që njihet si xhandar – janë inspirimi për punimet e fundit të saj. Do të realizojë mbi 50 punime, ku do të vendosë ndonjë figurë që ka motive shqiptare. Arta Gashi-Loxha, që e kishte luajtur si fëmijë këtë lojë me gjyshen tashmë të ndjerë, kujtimet e malli për të i kanë shërbyer për të bërë bashkë dy elemente të rëndësishme nga fëmijëria dhe prejardhja e saj.
“Ideja pas këtyre letrave është e thjeshtë, por e rëndësishme: secila letër ka një imazh që i përket kulturës shqiptare. Për shembull, mbretëresha është veshur me teshat tradicionale nga Medvegja, në të cilën kam përfshirë spathi. Një tjetër mbretëreshë është e veshur me teshat nga Tropoja, tjetra në teshat e Korçës. Në këtë mënyrë e përfshij dashurinë për veshjet tona në veprat e artit tim”, shpjegon Gashi-Loxha për serinë e fundit që është duke realizuar.
Edhe pse e lindur dhe e rritur në qendër të New Yorkut, dhe në klasë ka qenë e vetmja nxënëse shqiptare, vazhdon të jetë fort e lidhur me rrënjët. Kjo lidhje do të reflektohej vazhdimisht në veprat e saj artistike.
Rrënjët në thelb të qenies
“Si fëmijë i emigrantëve, rrënjët shqiptare ishin thelbi i qenies sime. Jam lindur dhe rritur në Manhattan, qendra e New Yorkut, në një kohë që ende s'ka pasur shumë shqiptarë dhe shumicën e rasteve isha e vetmja nxënëse shqiptare në klasë, ndonjëherë edhe në të gjithë shkollën. Kuptova shumë shpejt që realiteti im, gjërat që ishin normale për mua dhe të afërmit e mi, ishin krejt ndryshe nga nxënësit e tjerë”, rrëfen Gashi-Loxha për KOHËN.
Tradita e lidhjeve familjare kishte pasur goxha ndikim në ndërtimin e identitetit të saj. Vizitat e shpeshta tek familjarët, bisedat që lidheshin me kulturën shqiptare kanë bërë që ajo sot në veprat e saj të përdorë shumë nga këto shprehje e imazhe.
“Në këtë periudhë të shkollës fillore, unë i kisha 28 kushërinj në anën e nënës që i shihja çdo javë, ndërsa shoqet e shokët e klasës ishin fëmijë të vetëm ose nuk kishin asnjë fraksion të anëtarëve të familjes. Gjatë zhvillimit, rritjes sime, ky dallim kulturor u bë edhe më se i theksuar dhe filloi të manifestohet në veprat e mia”, tregon Gashi-Loxha.
Arta vazhdon edhe sot të vendosë mbishkrime në imazhet e saj, të cilat janë të frymëzuara në folklorin shqiptar. Shprehjet e njohura shqiptare, ajo i ilustron me vizatime të cilat rrallë kanë në fokus më shumë se dy subjekte. Përveç mbishkrimeve në shqip, ajo i vendos edhe mbishkrimet në gjuhën angleze në mënyrë që të përçojë mesazhin e tyre edhe tek publiku joshqiptar. Emri i saj tashmë është i vendosur edhe në librin me poezi të shkrimtarit italiano-amerikan, Louis Romano. Libri i titulluar “Anxiety’s Cure” mban ilustrime me vizatime të Gashi-Loxhës.
Ajo ka përfunduar studimet e nivelit bachelor në artet vizuale në “Hunter College” në Manhattan. Gashi-Loxha po ashtu ka ndjekur “LaGuardia High School of Music, Art and The Performing Arts,”, shkollë e specializuar për të gjitha format e artit. Rrugëtimi i saj artistik numëron pjesëmarrjen në dy ekspozita në Manhattan.
“Ekspozita e parë ishte në vitin 2008, e quajtur ‘Black Roses in My Garden’ dhe prezantimi i dytë ishte në vitin 2018, i quajtur ‘Baklava and Beats’. Ishte një ekspozitë shqiptaro-amerikane me artistë, shkrimtarë dhe muzikantë shqiptarë”, thotë artistja 35-vjeçare.
Vizatimi është pjesë e përditshmërisë së saj, kështu që në koleksionin e saj ka qindra vepra, por jo çdonjërin do që ta ndajë me publikun.
“Vizatoj çdo ditë, kështu që në aktualitet kam qindra pjesë të mbaruara në koleksionin tim privat. Megjithatë, kam treguar publikisht vetëm rreth 50 pjesë në ekspozita, dhe në librin “Anxiety’s Cure.” Të gjithë veprat e mia nuk janë për publikun, preferoj që disa aspekte të vetes dhe jetës sime t’i mbaj private”, tregon ajo.
Puna me stilisten e njohur dhe brendi “Besarta Designs”
Si fëmijë, takimi i parë me stërgjyshen përmes një fotografie do t’i zgjonte asaj entuziazmin për një fushë të re. Fotografia me ngjyrë të errët e kufizuar me të bardhë kishte në fokus një grua që mbante veshje kombëtare. Gashi-Loxha, e cila nuk kishte parë më herët një veshje të tillë, e mahnitur nga veçantia e saj filloi hulumtimin për të.
“Nana Rabë mbante ‘veshë katundit’ nga Rrafshi i Dukagjinit. Deri tani, unë isha mësuar të dëgjoja muzikë shqiptare, të flisja gjuhën shqipe, të haja ushqime shqiptare në shtëpi, por nuk isha e ekspozuar ndaj diçkaje të tillë, andaj kjo veshje dhe më mahniti. M’u shfaq një uri, kureshtje për ta zbuluar se çfarë përfaqësonte kjo veshje, si krijohet dhe materialet që përdoren për të”, rrëfen Gashi-Loxha.
Dhjetë vjet më vonë, ajo do të gjendej në makinën e qepjes së bashku me gjyshen në New York. Nisën të qepnin veshje kombëtare. Derisa gjyshja e saj këtë e bënte më shumë për t’ua siguruar të gjitha mbesave veshjen tradicionale, Arta Gashi-Loxha insistonte që përmes veshjeve të tilla të krijonte një vazhdimësi të kulturës shqiptare në SHBA.
“Gjatë kësaj kohe u mora me studimin, hulumtimin e veshjeve mbarëshqiptare dhe u dashurova, u magjepsa me të gjitha veshjet e rajoneve mbarëshqiptare. Fillova të qëndisja, të bëja punëdore, krijime të frymëzuara nga këto veshje tradicionale, të lashta. Nuk mjaftonte të vishem me kostume kombëtare siç e kemi zakon ne shqiptaro-amerikanet nëpër dasma, kanagjegje. Jo, unë desha me e mbajtë me vete një pjesë të historisë, kulturës sime çdo ditë”, tregon tutje ajo.
Shtatë vjet punë me stilisten e veshjeve Malia Mills, do t’i shërbenin Artës si një bazë e mirë në linjën e saj të veshjeve të titulluar “Besarta Designs”. Emri bashkonte shkronjat e emërit të saj e të bashkëshortit Besnik.
Puna për stilisten nga Hawai do t’i ndihmonte në realizimin e një brendi që do të bëhej adresë për veshjet shqiptare në qendër të New Yorkut.
“Lindja e ‘Besarta Designs’, linjës sime të veshjeve kombëtare, ishte bashkimi i dy botëve të mia: tradicionale shqiptare dhe ajo e diasporës amerikane moderne. Gjatë viteve 2006 - 2013 kam punuar për një stiliste të veshjeve, Malia Mills. Atje mësova aspektet teknike të modelimit të veshjeve, përzgjedhjes së rrobave, e të tjera. Kjo përfundimisht do të më ndihmonte me linjën e veshjeve të mia”, thotë ajo.
Arta Gashi-Loxha planifikon botimin e librit të saj me ilustrime. Serinë e krijuar, ku synon të vendosë 52 imazhe në letër, thotë se do t’i përmbledhë në një ekspozitë apo libër. Qëllimi kryesor i punës dhe publikimeve të saj është që edhe të rinjtë që jetojnë në New York të mësojnë për traditën, kulturën dhe historinë shqiptare nëpërmjet imazheve të saj.