Futboll

Yamali largohet nga grumbullimi, Spanja e akuzon Barçën

Lamine Yamal

Lamine Yamal është liruar nga grumbullimi i Përfaqësueses së Spanjës për ndeshjet ndaj Gjeorgjisë dhe Turqisë, për shkak të problemeve fizike. 

Federata Spanjolle e Futbollit e ka akuzuar klubin e Barcelonës se nuk e ka njoftuar që Yamali i është nënshtruar një trajtimi mjekësor për një shqetësim që po e përcjell javëve të fundit. 

“Shërbimet Mjekësore të Federatës Spanjolle dëshirojnë të shprehin shqetësimin e tyre pasi mësuan të hënën, në ditën e fillimit të kampit zyrtar stërvitor, se lojtari Lamine Yamal i ishte nënshtruar një procedure invazive me radiofrekuencë për të trajtuar shqetësimet që ndiente në zonën pubike. Kjo procedurë u krye pa komunikim paraprak me stafin mjekësor të ekipit kombëtar. Duke pasur parasysh këtë situatë, dhe duke i dhënë përparësi në çdo kohë shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies së lojtarit, Federata Spanjolle e Futbollit ka marrë vendimin për ta liruar Yamalin nga grumbullimi”, shkruan Federata Spanjolle. 

Selektori i Spanjës, Luis de la Fuente, ka ftuar Jorge de Frutos të Rayo Vallecanos për të zëvendësuar 18-vjeçarin Yamal. Spanja i prin Grupit E me 12 pikë.