Institucionet qendrore të kulturës sivjet do të kenë 682 mijë euro më pak në dispozicion në raport me buxhetin që u ishte zotuar për vitin e kaluar. Por ky nuk është problemi i vetëm. Tash është vërtetuar se keq ishin ndarë me buxhetin e vjetëm. U ishte premtuar më shumë sesa që realisht kishte mjete. Institucionet janë futur në borxhe, e do ato t’i mbulojnë me buxhetin e sivjetmë. Mungesa e aktiviteteve në kohë pandemie do të jetë një lloj lehtësimi.
Ministria e Kulturës këtë javë ua ka ndarë buxhetin tetë institucioneve kulturore për 2020-n. Janë gjithsej 2 milionë e 158 mijë euro që mund t’i shfrytëzojnë për realizimin e planeve vjetore. Bëhet fjalë vetëm për buxhetin e projekteve pasi për mallra e shërbime, e pagat e punonjësve MKRS-ja sikurse çdo vit i paguan me linja të veçanta buxhetore, raporton KOHA.
Shpëtimi te pezullimi i aktiviteteve, shpresat në rishikim
Për dallim nga viti i kaluar institucioneve u është zotuar buxhet më i vogël. Më 2019-n ish-menaxhmenti i MKRS-së kishte paraparë 2 milionë e 840 mijë euro buxhet. Por ka prej tyre që nuk kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë më shumë se gjysmën e asaj që u është premtuar pasi institucioni më i lartë kulturor në vend nuk kishte mundësi të mbulonte premtimet.
Udhëheqësit e institucioneve kulturore nuk janë të kënaqur me buxhetin që u është ndarë. Telashe u kanë nxjerrë premtimet e 2019-s.
Pamundësia e funksionimit shkaku i masave të marra për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19 del ta bëjë deri diku të mjaftueshëm buxhetin e ndarë nga MKRS-ja, e cila në total ka në dispozicion 44 milionë e 176 mijë euro, rreth 1 milion më pak sesa që kishte me letra një vit më parë.
Pothuajse të gjitha institucionet do t’i rishikojnë planet vjetore në mënyrë që t’i reduktojnë aktivitetet për t’i përshtatur me buxhetin. Krejt bashkë kishin kërkuar afro 3.5 milionë euro. MKRS-ja u është përgjigjur me 1.4 milionë më pak.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në “Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.