Mosha e shtyrë nuk ia kishte humbur sharmin simpatik te publiku as kur sëmundja po e bënte të veten. Humori i tij prej shkodrani e kishte bërë atë një prej aktorëve më të dashur në ekranet e shqiptarëve.
Qindra shkodranë të hënën kanë dalë në ballkonet e apartamenteve të tyre. Poshtë tyre një kortezh prej disa veturash po bartte trupin e aktorit Gëzim Kruja, i cili vdiq paraditen e së dielës në moshën 80-vjeçare. Edhe në rrethana të lëvizjes së kufizuar, kur i tërë vendi po përballet me pandeminë, duartrokitjet e gjata ishin mënyra e vetme për t’i dhënë lamtumirën e fundit mjeshtrit shkodran. Ashtu siç ishte paralajmëruar, duke filluar nga ora 12:00, kortezhi me trupin e pajetë të Krujës përshkoi po të njëjtin itinerar që i ndjeri përshkonte me biçikletë, ashtu sikundër shumë shkodranë të tjerë. Në një atmosferë të përzishme, kortezhi ndaloi edhe para teatrit “Migjeni”, aty ku kishte qenë shtëpia e dytë e artistit me nam.
Por në ceremoninë e varrimit morën pjesë vetëm familjarët e Krujës, për shkak të masave të marra nga institucionet shtetërore shqiptare.
I vlerësuar si ikona e humorit shqiptar, i cili me paraqitjet e veta u ka dhuruar pafund buzëqeshje shqiptarëve kudo, gjendja shëndetësore e Krujës ishte përkeqësuar së tepërmi sa i ishte pamundësuar edhe të folurit. Më 4 dhjetor të vitit të kaluar, në ditëlindjen e tij të 80-të, dhe të fundit, miku i tij Zef Deda qe i vetmi që u kujtua ta vizitonte artistin e harruar shkodran.
Sipas librit të Hasan Hasanit, “L'Enciclopédie des écrivains Albanais 1501-2001”, botim i shtëpisë botuese “Faik Konica”, Gëzim Kruja ka lindur më 1939 në Shkodër.
Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindje, ku mbaroi edhe Institutin e Lartë Pedagogjik për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Duke filluar prej moshës 13-vjeçare, gjatë karrierës së tij prej artisti, Kruja ka interpretuar rreth 1 mijë role në skenë.
Punoi si regjisor në Shtëpinë e Pionierit për t’u aktivizuar më pas në klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”. Shkodrani i talentuar kishte shkëlqyer me trupën amatore të fabrikës “Duhan-cigare”. Ka shkruar komedi, skenarë filmash, skeçe e pjesë gazmore. Në vitin 2004 ai u nderua me titullin “Krenaria e Qytetit”, për t’u nderuar, një vit më vonë, edhe me çmimin “Naim Frashëri i Artë”. “Mjeshtër i Madh” do të ishte vlerësimi tjetër që do t’i akordohej me 2010. Është sprovuar edhe në letërsi me veprat “Qesh e ngjesh”, “Ju ofroj buzëqeshje”, “Keni nevojë me qeshë”, e të tjera.
Artisti shkodran kishte krijuar edhe një lidhje të veçantë me Kosovën. Në një intervistë të bërë në vitin 2014 për “Tirana Observer” me gazetarin Ramazan Çeka, Kruja kishte rrëfyer me ndjenjë momentet kur bashkë me aktoret Raimonda Marku e Drande Xhaj kishte vizituar Kosovën. Ndër të tjerash kishte evokuar edhe një ngjarje që i kishte mbetur në kujtesë. Kur po kthehej nga Toronto në Mynih të Gjermanisë, një polic gjatë kontrollit ia kishte ngulur sytë aktorit shkodran. Gëzimi kishte pasur përshtypjen se ai do t’i nxirrte telashe gjatë kontrollit.
“Kur ai po më drejtohet me zë të lartë, duke thënë: ‘Ku je baca Gëzim, artisti i botës, ta marrsha t’keqen’. Kush jeni ju, i them. Jam kosovar, më thotë. Na i mori pasaportat dhe na kaloi”, kishte rrëfyer Kruja.
Të shumta kanë qenë ngushëllimet e kujtimet për aktorin e madh, të dielën në ditën që u dha lajmi për vdekjen e tij.
“Lamtumirë Mjeshtër! Përulje dhe respekt për kontributin tuaj! Mjeshtri Gëzim Kruja do të jetë i përhershëm në skenën e shtëpisë së tij të dytë”, kanë shkruar kolegët dhe kolektivi i teatrit “Migjeni” në Shkodrën e tij.
Kolegia e tij, mjeshtrja Drande Xhaj ka thënë se Gëzim Kruja do të mbetet në memorien e artdashësve si artist i dashur e popullor. Të hënën ajo ka shprehur edhe një tjetër peng.
“Shumë më e dhimbshme është të mos dhurosh një tufë lule. Një ceremoni që do të ishte ashtu siç Gëzim Kruja do ta meritonte. Sot është një ditë e trishtë për të gjithë artin dhe humorin shkodran. Ai iku me një peng, sepse dëshira e tij e madhe ishte që me rastin e 80-vjetorit të kishte një realizim në ‘Teatrin Migjeni’. Artistët nuk vdesin, artistët do të jetojnë gjithmonë, ashtu siç Gëzim Kruja do të jetë pjesë e tryezave shqiptare”, ka thënë ajo për televizionet shqiptare.
Kolegu i tij, aktori i madh Zef Deda, ka kujtuar bashkëpunimet e kahershme me Krujën.
“Me madhështinë e tij ne krenohemi. Ai gjithmonë ka qenë më i madh se unë. Unë rritesha, ndërsa ai ishte gjithmonë i madh dhe vdiq i madh. Kam pasur mrekullinë që të luajmë bashkë. Ai ka qenë shumë i dashur, për të gjithë kolegët/ Vetëm kur dilja me të kisha emocione në skenë”, ka thënë Deda.
Si humbje për artin dhe kulturën shqiptare është cilësuar edhe në Kosovë.
“Me artin e tij komik ai shpërfaqi talentin e jashtëzakonshëm për dekada me radhë. Humori i tij ishte sa komik, aq edhe satirë dhe sarkazëm për fenomenet e ndryshme të shoqërisë shqiptare”, ka shkruar Thaçi, i cili ka shtuar se vepra e artistit Kruja është “trashëgimi që do të jetojë gjatë në mendjet tona”.