Kulturë

Selaniku dhe Manastiri – dy qytete të rëndësishme të historisë shqiptare

Selaniku dhe Manastiri – dy qytete të rëndësishme të historisë shqiptare

Para më shumë se një shekulli shumë qytete mes Sarajevës dhe Stambollit ishin qendra të rëndësishme ekonomike dhe kulturore me lidhje të ngushta me botën perëndimore. Dy shembuj në afërsi të Kosovës dhe Shqipërisë së sotme shquheshin veçanërisht: Selaniku me 14 konsullata dhe Manastiri me 2482 dyqane dhe me një popullsi, e cila, siç theksonte Sami Frashëri, nuk e zotëronte turqishten.

Asnjë politikan i Turqisë moderne nuk madhërohet aq shumë sa Mustafa Kemal Ataturku. Në kuadër të kultit të tij hyjnë edhe dy shtëpi të lindjes: shtëpia origjinale gjendet në Selanik, aty ku u lind Mustafa Kemali, dhe një kopje e shtëpisë e ndërtuar në periferi të Ankarasë. Për dallim nga Ankaraja që ishte një çerdhe provinciale, Selaniku në fund të shekullit të 19-të, kur lindi Mustafa Kemali, ishte tashmë një qendër e rëndësishme rajonale – falë lidhjeve me botën përmes detit dhe hekurudhës. Pronarët e tokave në rrethinën e Selanikut ishin kryesisht myslimanë. Nga ky qytet eksportohej duhan, pambuk, lesh dhe pemë. Selaniku ishte i lidhur me vija detare me Pireun, Napolin, Triestën, Marsejën, Odesën, Port Saidin dhe Izmirin.