Kulturë

Institucionet kulturore pa ofertë për publikun në kohë pandemie

Salla e Teatrit të Qytetit në Gjilan ka 296 ulëse. Në kushte normale do të duhej që një shfaqje të jepej 35 herë dhe salla të ishte plot në mënyrë që të regjistrohen mbi 10 mijë e 300 veta që e kanë parë atë për gjashtë ditë.

Emergjenca shëndetësore e masat e Qeverisë që kanë pezulluar krejt aktivitetet kulturore, kanë bërë që “Shfaqja që shkon keq” ta arrijë këtë numër të publikut. Por, në një tjetër formë. Është dhënë online. Shfaqja nën regji Ilir Bokshit, me tekst të Henry Shield, Jonathan Sayer e Hanry Lewisit, që ishte dhënë premierë në nëntor të vitit 2018 , në ditën e 27-të të këtij muaji, pikërisht në Ditën Botërore të Teatrit, ka pasur një reprizë të pazakontë. Është dhënë në profilin që Teatri i Qytetit në Gjilan e ka në rrjetin social Facebook. Vazhdon të jetë në dispozicion të publikut potencial, shkruan KOHA.

Por, shumica e institucioneve qendrore të kulturës vazhdojnë të jenë larg publikut tash e më shumë se dy javë, qëkur Qeveria ka pezulluar midis tjerash edhe aktivitetet kulturore.

Vetëm Galeria Kombëtare e Kosovës dy javë më parë lansoi turin virtual në ekspozitën “Heshtja e rëndë” të Burim Gashit, për të nisur projektin “Artisti në karantinë” me tri vepra të artistit Driton Selmani, që vazhdoi me “Koleksioni Francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup", veprën e Muslim Mulliqit, “Çardaku i ndriçuar”, e vizatime e tapiceri të Jakup Ferrit.

Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës e Filarmonia e Kosovës, ende nuk kanë ofruar paraqitje online në mënyrë që publiku i interesuar të ketë qasje në produksionet e këtyre institucioneve. Disa planifikojnë të gjinden disi në ditët në vazhdim.

Menaxhmenti i Teatrit të Qytetit në Gjilan nuk e ka ndërmend të ndalet sa i përket ofrimit të shfaqjeve nëpërmjet platformave online në mënyrë që të paktën të ketë publik virtual.

Artikullin e plotë mund ta lexoni falas në gazetën KOHA Ditore - Për t'u regjistruar kliko këtu