Kulturë

“Nëpër Film” nis rrugëtimin në Kohavision

Magazina televizive, e cila i dedikohet kinematografisë “Nëpër Film”, rikthehet të dielën në ekranin e Kohavisionit.

E diela mbrëma nga ora 21:20 do të jetë termini i rezervuar për adhuruesit e informacioneve rreth zhvillimeve në fushën e industrisë së filmit. Në edicionin e parë të emisionit do të mund të ndiqni materiale të shumta nga skena e filmit vendor dhe atij ndërkombëtar.

Në mesin e tyre një material i shkurtër në kujtim të ikonës së teatrit, filmit dhe televizionit, Leze Qena, e cila vdiq të mërkurën në moshën 85-vjeçare.

Në këto kohë të jashtëzakonshme të vetizolimit të qytetarëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit, regjisori Leart Rama ka vendosur ta dokumentojë përditshmërinë tonë të re përmes serisë së filmave, të cilën e ka titulluar “Corona Diary”.

Për emisionin “Nëpër Film”, regjisori tregoi gjithçka rreth idesë dhe realizimit të këtij projekti. Edhe pse kinematë në vend janë mbyllur me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19, regjisori Fatos Berisha para pak javësh e kishte sjellë premierën kosovare të filmit të tij të shumëshpërblyer, “Cirku fluturues”.

“Nëpër Film” sjell një material i cili flet për prapaskenat e këtij projekti të kinematografisë kosovare. Në rubrikën “Në fokus” do të vijë biografia e shkurtër e aktores më të shpërblyer në Hollywood dhe jo vetëm, Meryl Streep. Duke mos u larguar nga industria e filmit ndërkombëtar, do të sjellim edhe informacione shtesë rreth gjendjes aktuale në Hollywood, me anulimin e shumë premierave botërore, por edhe transmetimin para kohe të disa projekteve filmike në platformat digjitale. Këto dhe shumë më shumë, mund t’i ndiqni në emisionin “Nëpër Film”, me autore Edona Binakun.