Kulturë

Ambasadorja e “Agimit” të Prizrenit

“Rrugën drejt teatrit e nisa në Prizren”, do të kujtonte aktorja Leze Qena fillet e karrierës së saj, në ditën e 6 nëntorit të vitit 2018, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, në kuadër të projektit “KultWoman” zbatuar nga gazeta onilne për art dhe kulturë “KultPlus” dhe financuar nga “Culture for Change”. Ishte një rrëfim i sinqertë, personal.

“Jam marrë me teatër në shkollë, në gjimnaz në teatrin amator. Por mund të them se ia kam filluar qysh nga fëmijëria. Prizreni i ka dritaret e thella nëpër dhoma e perdet janë të ngjitura për xham. E largoja perden dhe i mblidhja fëmijët e mëhallës dhe këndoja, recitoja krejt çka më binte ndër mend...”, do të kujtonte Qena, shkruan sot KOHA.

Prizreni për të ishte qyteti më i bukur në botë. E emri i saj është i çmueshëm edhe për shoqërinë kulturo-artistike “Agimi”. Për afër shtatë dekada e kanë konsideruar ambasadore të tyre, ani pse anëtarësia e saj ka zgjatur vetëm pak vjet. Sipas veteranëve të

“Agimit” të Prizrenit, periudha dyvjeçare e anëtarësisë së Leze Qenës në këtë organizatë kulturore ka mjaftuar që ajo të marrë hapat e parë dhe mbi ta pastaj me talentin e vet të jashtëzakonshëm të ndërtojë një karrierë të papërsëritshme artistike, duke tërhequr simpatinë e audiencës së të gjitha moshave.

Kadri Skeja nga shoqëria kulturoartistike “Agimi” tregon se, sipas kujtimeve të anëtarëve veteranë, Petrit Nushit e Engjëll Cetës, Leze Qena ka qenë anëtare e kësaj shoqërie rreth 70 vjet më parë.

“Lezja, tani e ndjerë, diku në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar ka qenë anëtare e ShKA ‘Agimi’, për një ose dy vjet dhe pastaj ka shkuar në Prishtinë. Leze Qena ka qenë pjesëtare e korit të ‘Agimit’, në kohën kur dirigjent ka qenë Lorenc Antoni. Krahas Korit, kur është dashur, ajo është angazhuar edhe në seksione të tjera”, ka thënë Skeja. E lindur më 1 mars të vitit 1935, në Prizren, nga babai Zefi dhe nëna Katarina, Leze Spaqi mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në vendlindje, për të vazhduar më pas edhe në Prishtinë.

“Njëherë moti në një natë dimri afër pranverës, m’u atëherë kur shkunden plakat, në një shtëpi të vogël romantike ka lindur një fëmijë. Të gjithë u gëzuan për të, por më së shumti nëna. Linda më 1 mars 1935 në qytetin më të bukur në botë, në Prizren”, kishte thënë ajo katër vjet më parë në emisionin “PRO X” në Kohavision. Si e dyta në familjen me shumë fëmijë, Qena kishte thënë se ajo kishte qenë gjithherë e përkëdhelura e prindërve të saj.

“Vërtet kushtet nuk kanë qenë sikur sot, por për mua ato ishin shumë të kënaqshme. Kam qenë fëmijë i llastuar prej babait, i cili ma plotësonte çdo dëshirë”, evokonte fëmijërinë e saj në Prizren.

Vështrimin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.