Kulturë

“Artist në karantinë” nis me balancën midis shpresës dhe ankthit

Descriptive Text

Jeta nën karantinë nuk ka paralizuar gjithçka. Të paktën shpirti artistik duket se ndryn në vetvete forca që tejkalojnë shtrëngicën dhe agoninë që ka përftuar armiku i padukshëm – virusi COVID-19. Këtë mision sikur e kanë marrë edhe tri qese të përthyera artistikisht e me mesazhe të pazakonta të brendashkruara në to.

Me tri vepra të artistit Driton Selmani, Galeria Kombëtare e Kosovës të enjten ka filluar ekspozitën virtuale “Artist në karantinë”. Siç është shpjeguar në njoftimin e këtij institucioni, qëllimi i ekspozitave të tilla është “interaksioni me publikun në këtë kohë të vështirë”.

Teksa artistët nga izolimi do të afishojnë punimet e tyre për audiencat artdashëse, artisti 33-vjeçar që vepron në Prishtinë ka përzgjedhur tri vepra. Në të parën është një qese plastike me përmasa 40 me 35 centimetra, në të cilën është vënë mbishkrimi “Everything is already here” (Gjithçka është këtu). Brenda veprës “Everything”, me akril është dhënë profili i një të panjohuri në të cilin është theksuar vetëm veshi.

Me mesazh të fortë pason edhe vepra e dytë në përmasa 40 me 35 centimetra “Worry About” e punuar po ashtu në një qese plastike me ngjyrë të verdhë. “War seems to be the happy end now” (Lufta duket të jetë fundi i lumtur tani). E brenda tekstit, foljes “was” i është vënë përsipër njëfarë kryqi sikur duke e ndryshuar në moment të fundit shtjellën e mendimit. Dhe e treta vepër me radhë, me përmasa 60 me 60, është rishtas një qese rozë. “And you worry, why we are worried?”, shkruan brenda kësaj vepre të titulluar “Happy End”.

Në një prononcim për KOHËN, artisti Selmani ka shpjeguar se këto tri vepra të realizuara sivjet e përfaqësojnë më së miri atë. “Përzgjedhja e tyre ka qenë e domosdoshme për shkak se jemi në karantinë, dhe nga të paktat vepra që kam bërë këto ditë, këto më duken se më përfaqësojnë mua, po aq edhe ‘pasigurinë’, e nuk shoh vegël më të mirë për t’i dalë ‘fer’ kësaj situate sesa me qese plastike, të cilat i kap në fluturim e sipër rrugëve të Prishtinës”, ka thënë Selmani.