Kulturë

Kosovarët në kohë izolimi po preferojnë të porosisin libra online

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Gra edhe sa vjet doni të prisni”, “Skica amerikane” e “Letra shqipe”, janë disa nga titujt që mund t’i gjeni në kioskën e vetme të hapur në kryeqytet.

Tash e një javë, për shkak të përhapjes së COVID-19 edhe në Kosovë, të gjitha kioskat me libra që gjenden në kryeqytet janë mbyllur, përveç kioskës “Lisi”.

E rrugët e zbrazëta nuk e kanë ndalur librashitësin Bajram Kastratin. Ai vazhdon t’iu ofrojë qytetarëve librat nga shtëpitë botuese më të njohura.

Bajrami thotë se këtë veprimtari e ushtron që nga vitet ‘90. Në këtë kohë pandemie e ka shtyrë të dalë nevoja për mjete financiare.

“Njerëzit e gjejnë librin, e libri njeriun”, është shprehja që ai përdor, megjithatë, thotë se ka raste edhe kur u propozon klientëve tituj të librave.

Meqenëse qytetarët janë të mbyllur, shumica prej tyre i janë kthyer mikut më të mirë-librit. Por, Bajrami thotë se gjatë kësaj jave ka pësuar rënie në shitjen e librave. Shkak për këtë është se shumica e qytetarëve në këtë kohë izolimi po preferojnë që librat t’i porosisin online.

Edon Zeneli, nga libraria “Buzuku” e njëherësh kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë për Kohën se gjatë viteve të fundit me një dinamikë gjithnjë e më të madhe njerëzit e shohin të arsyeshme t’i porosisin librat, duke iu shkruar në faqen e tyre.

“Tash, me karantinimin e njerëzve e pamë të arsyeshme t’iu qëndrojmë afër dhe t’iu shërbejmë, sepse shumë njerëz dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë kohë për të lexuar. Jo vetëm shëndeti fizik ka rëndësi, duhet të përkujdesemi edhe për shëndetin mendor”, ka thënë ai.

Fidan Imeri, menaxher i shitjes në Grupin KOHA, ka thënë se në situatën e krijuar botimet e tyre mund të porositen shumë lehtë në platformën “GjirafaMall”. Përmes një shfletimi në këtë platformë lexuesit mund të gjejnë disa mundësi. Prej tyre, mbi 70 tituj janë nga Botimet KOHA.