Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet për rregullimin e bazamentit të monumentit NEWBORN. Kompania e angazhuar nga Komuna e Prishtinës kishte nisur punën pa pëlqim të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Rrethimi i veprës kishte nisur duke u bazuar në një pëlqim të para dy vjetëve.
“Ndalohet çdo veprim i paautorizuar në asetin e trashëgimisë kulturore të quajtur ’NEWBORN’ i cili është i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, i përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të shtetit”, shkruhet në vendimin e Inspektoratit, i protokolluar më 27 shkurt.
Aty sqarohet se për çdo ndërhyrje në këtë aset të trashëgimisë kulturore duhet marrë leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në vendimin e Inspektoratit është sqaruar se Komuna planifikon zhvendosjen e monumentit. Aty ceket se në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore ndalohet lëvizja apo zhvendosja e pjesshme ose komplete e ndonjë pjese të trashëgimisë së mbrojtur arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme apo të përhershme.
“Inspektorati, pas analizimit të të gjitha rrethanave... ka konstatuar se Komuna e Prishtinës, pavarësisht obligimeve ligjore në raport me këtë aset, nuk e ka ndjekur procedurën për pajisje me leje nga IKMM si institucion kompetent, kur ka vendosur për zhvendosjen e këtij aseti”, shkruhet në vendimin e nënshkruar nga inspektori Pajtim Zogaj.
Blerta Basholli, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se janë në pritje të miratimit të projektit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ajo ka thënë se pëlqimit paraprak i kishte skaduar afati.
“Na kanë përcjellë rekomandimet, i kemi plotësuar dhe tash presim përgjigjen”, ka thënë ajo... (Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)