Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vlerësuar se Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim konkret në fushën e kulturës siç është Kalendari i Përbashkët Kulturor dhe vlerësoi se ky projekt i përbashkët duhet të pasurohet edhe më shumë me aktivitete tjera, porse tha se “duhet të realizojmë edhe projekte tjera të përbashkëta mes dy vendeve tona edhe në fushat tjera”.
“Projekti në fjalë ka shërbyer si një shembull bashkëpunimi mes dy vendeve edhe për institucionet tjera të nivelit qendror por edhe atij lokal”, vlerësoi ministrja gjatë një takimi të zhvilluar me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Dumoshi theksoi më tej se përmes shkëmbimit të përvojave të mira dhe ekspertëve të fushave të veçanta, kultura do të avancohet në një nivel tjetër andej e këndej kufirit.
“Në kuadër të zhvillimit të politikave të mirëfillta, duhet të rritet bashkëpunimi i mëtejmë mes Kosovës e Shqipërisë, varësisht prej ideve e projekteve që ekspertët e fushave përkatëse propozojnë e parashohin”, u shpreh ajo.
Ministrja tha se është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje në lidhje me zhvillimin dhe koordinimin sa më të mirë për avancimin e këtij bashkëpunimi përtej organizimeve të përbashkëta, duke realizuar projekte substanciale dhe që do të ndikonin në prezantimin sa më të mirë të kulturës shqiptare në përgjithësi edhe në arenën ndërkombëtare.
Ndërkaq, ambasadori Minxhozi ka theksuar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vazhdojë duke u intensifikuar edhe me tej, përmes hapave dhe projekteve konkrete dhe të definuara saktë.