Dhjetëra fotografi e portrete të veprimtarit Adem Demaçi janë vendosur në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, si pjesë e ekspozitës “Kujtesa e Kosovës”, me portrete dhe fotografi të atdhetarit të ndjerë Adem Demaçi.
Në 84-vjetorin e lindjes së Demaçit, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ka grumbulluar mbi 70 portrete, fotografi si dhe pjesë fjalimesh e statutesh politike të veprimtarit që u mbajt 28 vjet në burgjet jugosllave.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vlerësuar se Demaçi ishte veprimtari më autentik në historinë e popullit shqiptar.
“Baca Adem ia kushtoi jetën idealit të kombit shqiptar. Baci Adem e kuptonte se përtej dallimeve që ne kishim, kishte diçka që na bashkonte e kjo ishte edhe të qenit shqiptar, edhe njerëz liridashës. Ai e kuptonte se çfarëdo që mund të arrinim, vetëm të bashkuar mund të arrinim qëllimet e përbashkëta “, ka thënë ai.
Kurti, i cili kishte qenë pjesë e Zyrës politike të UÇK-së, ka thënë se rrugëtimin e tij në politikë do ta kishte të pamundur pa Demaçin, raporton “Koha Ditore”.
“Baca Adem është tallur me vdekjen dhe i ka buzëqeshur rrezikut. I qëndrueshëm përtej çfarëdo përfytyrimi dhe frymëzues jashtë cilësdo vetëdije. Adem Demaçi ka jetuar gjatë dhe shumë. I tillë do të jetë edhe ndikimi i tij, i gjatë në ardhmëri dhe i shumtë ndër brezat që do të vijnë”, ka shtuar ai. E ish i burgosuri politik, Selatin Novosella ka thënë se Shoqata e të Burgosurve Politikë ka mbledhur rreth 10 mijë dokumente arkivore, dorëshkrime e materiale të tjera që lidhen me jetën dhe veprën e Demaçit. “Duhet të mbajmë të gjallë figurën embelematike të Adem Demaçit. Brezat duhet të mësojnë nga figura e tij. Figura e tij duhet të prezantohet në historinë e letërsisë shqipe, në historinë e shkollave shqipe”, ka thënë Novosella.
Duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ai në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të themelojë me një akt të veçantë institutin “Adem Demaçi”, që do të merrej me hulumtimin e jetës dhe veprës së ish të burgosurve politikë.
“Po ashtu kërkoj që Qeveria të mbështesë financiarisht projektin për botimin e veprave të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin në 40 vëllime”, ka thënë ai.