Më 2 mars nis edicioni i tretë i Prishtina Jazz Week 2020

Më 2 mars nis edicioni i tretë i Prishtina Jazz Week 2020

26 February 2020 11:06

Prej 2 deri me 6 mars të këtij viti, Prishtina Jazz Week 2020 do t’i hapë dyert për 5 net me xhaz artistë nga e gjithë bota.

Ndonëse ky dimër ka qenë më i ngrohtë se zakonisht, duket se java e pare e marsit do të jetë më e ngrohta ndonjëherë. Tashmë në edicionin e tretë, Prishtina Jazz Week 2020 e vazhdon traditën e organizimit të super koncerteve të zhanrit xhaz në Kino Armata me artistë të njohur të xhazit nga bota dhe vendi, me punëtori muzikore në Dit’ e Nat’ ku do të kenë qasje të gjithë ata që duan të marrin mësime nga xhaz maestrot musafirë, dhe me jam sessions te çmendura deri në orët e hershme të mëngjesit në Zanzi Jazz Bar.

Organizuar nga 2-6 mars në lokacionin ikonik Kino Armata në Prishtinë, Prishtina Jazz Week 2020 fillon furishëm me xhaz vokalisten Nikoletta Szőke Quartet feat. Kristóf Bacsó nga Hungaria, për ta vazhduar natën e dytë me xhaz vokalisten, kompozitoren dhe aranzhuesen e jashtëzakonshme Elif Çağlar dhe bendin e saj nga Turqia, pasuar nga Marcos Varela Trio me 4 mars dhe Broken Circles ft. Joel Ross me 5 mars, dy xhaz formacione të njohura nga SHBA, dhe për ta përmbyllur festivalin me një ndër performansat e para të Prishtina Big Band, ansambli i sapo formuar i 17 artistëve vendorë udhëhequr nga Armend Xhaferi.

Krahas xhaz koncerteve të jashtëzakonshme, Prishtina Jazz Week 2020 organizon edhe punëtoritë muzikore në Dit’ e Nat’ udhëhequr nga artistët pjesëmarrës dhe ku muzikantët e interesuar të të gjitha moshave, gjinive apo etniciteteve do ta gjejnë hapësirën e sigurt për t’u rritur, për të bashkëpunuar dhe për të përparuar në instrumentin e tyre.

E qershia mbi tortë janë session të çmendura të cilat do të organizohen çdo natë pas koncerteve në Zanzi Jazz Bar. Aty do të zgjidhen të gjithë rripat, do të thyhen të gjitha barrierat dhe do të hapet çdo cep i skenës për t’u shndërruar në ftesë të parezistueshme për të gjithë muzikantët prezentë, vendor dhe të huaj, ta lënë momentin ta marrë rrjedhën, dhe muzikën të rrjedhë nga të gjithë së bashku.

Ky pra është shpirti i Prishtina Jazz Week: të sjell muzikantë dhe njerëz të jashtëzakonshëm nga e gjithë bota në Prishtinë për ta inspiruar njëri tjetrin, të krijojë platforma për mësim, përparim dhe rritje muzikore, dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi në mes të të gjithë artistëve prezentë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme