Shtatorja e Skënderbeut në Prizren vendoset më 6 maj

22 February 2020 15:34

Pas përplasjeve për lokacionin, në nëntor të vitit të kaluar, në Prizren është vënë guri themeltar i shtatores së Skënderbeut.

Fillimisht u planifikua që shtatorja të vendosej më 28 nëntor të vitit 2019, pastaj u shty për në mars të 2020-s. Ndërsa tash autoritetet komunale të Prizrenit thonë se një gjë e tillë do të bëhet më 6 maj, në ditëlindjen e heroit kombëtar.

Përcaktimi i lokacionit për vendosjen e shtatores qe shoqëruar me debat, pasi që anëtarë të caktuar të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, si dhe aktivistë të shoqërisë civile kërkonin që shtatorja të vendosej në qendër të qytetit, raporton “Express” i KTV-së.

Skulptori Sinan Aliaj, i cili është duke realizuar shtatoren, thotë se kjo vepër do të jetë ndryshe nga ato që janë parë deri më tani.

Komuna e Prizrenit në nëntor të vitit 2019 nënshkroi memorandum bashkëpunimi me shoqatën "Trojet e Arbrit", në kuadër të të cilit shkruhej se lokacioni më i përshtatshëm për vendosjen e shtatores është “rrethi i Benafit” në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme