Në një demokraci, qoftë edhe e pakonsoliduar si kjo e jona, kur ndërrohen pushtetet, më e pakta që mund të pritet është të ndërrohen trendët e qeverisjes.
Madje, kjo ndodh edhe në demokracitë më të zhvilluara ku vazhdimësia do të kishte një lloj logjike duke ditur se atje shpesh qeveritë bien jo gjithmonë për shkak të qeverisjes së keqe, por shpesh vetëm si nevojë e rotacionit politik si një domosdoshmëri për një përparim të vazhdueshëm shoqëror, shkruan Koha Ditore.
Në rastin tonë, duke ditur qeverisjen e dy dekadave të pasluftës, çfarëdolloj vazhdimësie në cilëndo fushë pa përjashtim, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Kjo e nxjerr këtë qeveri para një mal punësh që e presin, duke shtuar këtu edhe pritshmëritë e jashtëzakonshme të shoqërisë si rezultat i akumulimit dydekadësh të pakënaqësive qytetare.
Meqenëse asnjëri prej nesh (përjashto disa “analistë” televizivë) nuk e kemi as dijen e as mundësinë që të kontribuojmë në të gjitha ndryshimet që kërkohen, ky tekst ka për qëllim të kontribuojë vetëm në avancimin e njërës prej tyre: arkitekturën.
Këto ditë secili ka të drejtë të besojë se erdhi dita për të parë përmirësime në fushën me të cilën merret, por asnjëri që ka minimumin e kapacitetit mendor racional nuk beson se ajo ditë erdhi vetëm e vetëm nga fakti se iku një pushtet dhe erdhi një tjetër, sado që mund të duken ndryshime të mëdha në mes të atyre që shkuan dhe këtyre që erdhën.
Duke jetuar në një vend ku çuditërisht politikat mbi arkitekturën dhe urbanizmin në fushatë parazgjedhore as që zihen në gojë, edhe pse nga to varet më së shumti cilësia e jetës së njerëzve, kam të drejtën e plotë të dyshoj nëse guxoj të besoj se erdhi dita vërtet edhe për arkitekturën?! Si mundësi, pa dyshim – për t’u realizuar, mbetet për t’u parë. Çdo përmirësim fillon duke shtruar fillimisht pyetje të cilat mundësojnë identifikimin e problemeve si parakusht për të ndërtuar strategji për zgjidhjen e tyre. Në këtë pozitë, Qeveria e re mendoj se fillimisht duhet të ngrejë të paktën pyetjet e mëposhtme:
E para: Pse ne sot 20 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas Pavarësisë nuk kemi asnjë referencë arkitektonike serioze, e cila manifeston shpirtin e një epoke të re të një shoqërie të lirë?! Sikur Prishtina si kryeqytet, ashtu edhe të gjitha qytetet e tjera të Republikës, ndërtesat më ikonike me të cilat identifikohen edhe sot janë të ndërtuara në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. A nuk është patetike që një pushtet që ne e konsideronim “të huaj dhe të imponueshëm” na paska prodhuar arkitekturë më cilësore sesa pushteti “ynë dhe i lirë” i këtyre dy dekadave të fundit?!
E dyta: Pse ne sot 20 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas Pavarësisë nuk kemi asnjë monument, i cili në mënyrë të dinjitetshme shenjëzon sakrificën e luftës së fundit, porse sheshet tona janë mbushur me shtatore ku në rastin më të mirë ato janë të llojit të socrealizmit të tejshkuar, e në rastin më të keq e tipit Walt Disney të cilat më shumë poshtërojnë sesa që nderojnë figura të respektuara të luftës së fundit?! Tek të gjitha këto monumente i gjithë fokusi është tek arsenali ushtarak (bombat, pistoletat, kallashët, mitralozat, minahedhësit,...) duke lënë plotësisht në hije personalitetin, individualitetin dhe shpirtin e heroit, ndërsa idealeve të tij, siç janë liria, paqja, prosperiteti, barazia, përjetësia..., as që janë tema të cilat trajtohen qoftë edhe sipërfaqësisht!
E treta: Pse ne sot 20 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas Pavarësisë, qytetet tona të planifikuara dhe të ndërtuara në “gjendje lirie” i shndërruam në skëterrë hapësinore, ku “qytetari i lirë i Republikës” endet si miu nëpër vrimat e tij?!
Por, siç e thashë më sipër, të shtrosh pyetje është vetëm hapi i parë i kthimit të vëmendjes kah problemi, por assesi zgjidhja e tij. Prandaj, unë po marr guximin të jap disa këshilla që mund të ndihmonin në dhënien e përgjigjeve në pyetjet parashtruara dhe rrjedhimisht të më bënin të besoj se erdhi dita edhe për arkitekturën....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)