Kosova në Konferencën e Rambouilletit

Kosova në Konferencën e Rambouilletit

Sylë Ukshini Sylë Ukshini 22 February 2020 08:40

Bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja kishin humbur mundësinë për ta vënë në agjendën e konferencave ndërkombëtare problemin e Kosovës, në kohën kur kishte filluar shpërbërja e shtetit federativ jugosllav.

Një gjë e tillë ndodhi për shkak se qendrat ndërkombëtare të vendosjes, krahas angazhimit të limituar, përpiqeshin që zgjidhja përfundimtare për Kosovën të evitonte opsionin e pavarësisë, që deri atëherë u ishte njohur vetëm njësive të ish-federatës që gëzonin statusin e republikës.

Nisur nga kjo, e drejta e vetëvendosjes u ishte njohur jo popujve, por vetëm republikave, një zgjidhje më pragmatike në konceptin evropian dhe si e tillë ajo në fakt synonte të evitonte krijimin e kufijve të rinj dhe të shteteve të pastra etnike, shkruan sot Koha Ditore.

Në këtë linjë, më 1991, Komisioni i Arbitrazhit i Bashkësisë Evropiane, nën kryesinë e Robert Badinterit, në kuadrin e përpjekjeve për sqarimin e së drejtës së shtetësisë në kontekstin e shpërbërjes së shtetit jugosllav multietnik, nuk e trajtoi kërkesën e Kosovës për njohjen e shtetësisë.

Me këtë qasje ky organ evropian si pikënisje kishte qëndrimin politik të dymbëdhjetëshes evropiane për interpretimin e së drejtës së vetëvendosjes në kontekstin e Kushtetutës jugosllave të vitit 1974, sipas së cilës Kosova nuk ishte republikë, por vetëm krahinë edhe pse me përfaqësim të drejtpërdrejtë në nivelin federativ.

Në këtë rrethanë shqiptarëve të Kosovës nuk iu njoh e drejta e vetëvendosjes së jashtme edhe pse ishte konstatuar se shteti jugosllav ndodhej në fazën e shpërbërjes. Edhe pse në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare Kosova nuk kishte qenë asnjëherë pjesë e shtetit të Serbisë, deklarimi i Pavarësisë së Kosovës nuk ishte shqyrtuar asnjëherë.

Tendenca për mbajtjen e Kosovës brenda sovranitetit serb ndodhte për tri arsye: e para, Kosova ishte nën okupimin klasik të Beogradit. Së dyti, Beogradi nuk e kishte shpallur mëvetësinë shtetërore serbe dhe përmes krijimit të Jugosllavisë së mbetur (Serbi dhe Mali i Zi) pretendonte të ruante trashëgiminë dhe vazhdimësinë e shtetit të mëparshëm, pavarësisht largimit të disa republikave.

E treta, brenda Bashkësisë Evropiane dhe SHBA-së nuk kishte gatishmëri për ta njohur mëvetësinë shtetërore të Kosovës edhe nga frika e bashkimit të saj me Shqipërinë dhe e prishjes së ekuilibrave rajonalë....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme