Kulturë

Flamuri i bandës “Vatra” i restauruar gati për t’u ekspozuar në 100-vjetorin e ardhjes në Shqipëri

Mjeshtri i restaurimit Frederik Stamati ka filluar punën për restaurimin e flamurit të bandës “Vatra”, më të famshme në Shqipëri.

Pas restaurimit të Flamurit të valëvitur në kongresin e Lushnjës, që u mbajt më 21-31 janar të vitit 1920, Stamati po punon për restaurimin e flamurit të bandës “Vatra”.

Stamati, i cili ka publikuar një fotografi nga puna për restaurimin e këtij flamuri tha për ATSH-në se “flamuri i është dhuruar bandës nga shoqëria drenovare “Bashkimi” në vitin 1918. Më 2 prill 1920 banda erdhi në Shqipëri së bashku me Trupin vullnetar, me kërkesë të Kryeministrit të Shqipërisë, Sulejman Delvina dhe mori pjesë në ngjarjet për çlirimin e Shqipërisë”.

“Tani jemi në fazën e studimit të gjendjes së flamurit, në mënyrë që të dimë se si të ndërhyjmë. Mbas analizave do të paraqitet projekti i restaurimit në Këshillin Kombëtar të Restaurimit. Mbas miratimit do të fillojë ndërhyrja restauruese”, – tha Stamati.

Mjeshtri Stamati shprehet se “përpjekjet tona do të jenë që më 2 prill, me rastin e 100 vjetorit të ardhjes së bandës në Shqipëri, flamuri të jetë në gjendje për t’u ekspozuar”.

Historia e flamurit të bandës “Vatra”

Në sfondin e kuq të pëlhurës së mëndafshtë shkruhet “Banda Kombëtare “Vatra”, dhuratë nga shoqëria Drenovare “Bashkimi” 1918.

“Historia e flamurit është historia e një simboli. Ai e shoqëroi bandën në të gjithë rrugëtimin e saj legjendar, prandaj është i pandashëm nga historia e saj. Që në fillimet e shek.XX në Amerikë kishte disa shoqata të shqiptarëve të emigruar atje, si ajo “Besa-Besën”, “Dallandyshja”, etj. Ndjeheshin të vetmuara, si anëtarët e ndarë të një familjeje. Duhej të bashkoheshin. Ato u bashkuan me 28 prill 1912 dhe nga mozaiku i shoqatave politike lindi Ferderata “Vatra””, thekson Stamati.

Shoqëria drenovare “Bashkimi“, vijon Stamati, më 30 dhjetor 1917 u mblodhën e vendosën t’i dhuronin Bandës “VATRA“ një flamur, por me kusht, që në atë flamur të shkruhej që ishte dhuratë e Shoqërisë drenovare “Bashkimi“.

“Ky flamur simbol u realizua në vitin 1918. Flamuri nuk është shumë i madh, 101 me 66 cm, pra normal, nga ata që mbahen në shkop, e që paraprijnë marshimin e bandës. Një tantellë e vërtetë, e realizuar me fill të verdhë metalik që imiton arin, qarkon të gjithë flamurin. Temina të vogla, e të rrumbullakta, xixëllojnë në rrjetën e tantellës, duke i dhënë ca shkrepëtima tërheqëse. Poshtë, në fund, varen thekët e gjatë, e të dredhur spiral, prej filli metalik. Në mes është lira dhe shkrimi, edhe këto që shkëlqejnë si ar. Në të vërtetë shkrimet dhe lira janë realizuar me varak të verdhë, ndërsa filli metalik është prej bakri, sipërfaqja e të cilit e pasuruar me zing, jep tunxhin me pamje të artë. Kishte kohë, shekuj të tërë, që ari i pastër nuk përdorej më në qëndistari, madje as për veshjet mbretërore”, – thekson Stamati.

Mjeshtri Stamati shprehet se “për ta mbajtur flamurin të parrudhosur, në pjesën e sipërme, midis pëlhurave, është futur një shufur e hollë prej hekuri. Pastaj i gjithë flamuri varej me veriga në një shkop druri, në fundin e të cilit janë montuar dy si kupa bronzi të shndritshëm. Një kordon i gjatë, edhe ky prej filli të verdhë metalik, shërbente për të varur flamurin në shkopin e flamurmbajtësit”.

Frederik Stamati ka një jetë që merret me restaurimin, aq sa duket sikur ky i fundit nuk do të kuptohej pa një personalitet si ai, që ka kaluar nëpër duar mijëra objekte të trashëgimisë kulturore dhe ka kthyer në jetë shumë syresh, të cilat mendoheshin se kishin humbur përgjithmonë/ATSH.