Kulturë

Suvenire për shtetin e historinë

Pasi kishte kryer shkollën e artit në Pejë, në vitin 1981, mitrovicasi Sali Shkupolli erdhi në Prishtinë për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve. Stilin e punës së reliefit në bakër thotë se e ka veçanti, që s’e bën asnjë artist tjetër në botë. Thotë gjithashtu se drurin e njeh jashtëzakonisht mirë. Kombinimi i këtyre dy dijeve e teknikave e bën unik në prodhimin artizanal të suvenireve.

Shkupolli është i lidhur me suvenire që simbolizojnë Kosovën. Nga parahistoria deri tek ato që shënojnë vulën e shtetësisë. Monedhat ilire në bakër e “Newborn” në dru janë skajet e një game të gjerë produktesh që i prodhon ai, shkruan sot Koha Ditore.

Në mes janë edhe Hyjnesha në Fron, por edhe personalitete të shquara të kombit, si Skënderbeu, Naim Frashëri, Nënë Tereza, Adem Jashari e Ibrahim Rugova.

Kërkesat e turistëve për një shenjë nga vendi

Shkupolli thotë se me prodhimin e artizanaleve merret që prej fëmijërisë. “Reliefin në bakër e njoh bajagi mirë, por nuk merrem vetëm me të. Merrem edhe me përpunimin e drurit dhe përpunimin e pllakave të ndryshme, si mediapan.

Pastaj e bëj edhe ngjyrosjen, dhe gjithë procesin e punës që shkon zinxhir”, thotë Shkupolli, që merr një pauzë nga puna për të biseduar për gazetën.

Një filxhan i madh me kafe është padiskutueshëm shoqërues i bisedës në zyrën e tij të vogël, ku ai kalon fare pak kohë, meqë shumicën e kohës punon. Ka edhe tri punëtore, për të cilat thotë se janë shumë të vyera.

E për t’u kthyer te thelbi i bisedës, Shkupolli tregon se tash e një kohë punon kryesisht figura me motive të Kosovës, të patriotëve shqiptarë.

“Për arsye se turizmi është në zhvillim e sipër”, thotë ai. Nuk e ka një numër të saktë të asaj se sa produkte i bën. Por thotë se janë shumë.

“Duke nisur prej magneteve, që janë më atraktive. Turistët që vijnë këtu duan të blejnë ndonjë suvenir të vogël me motive të vendit. Për shembull, ndonjë imazh të Prishtinës, apo diçka kështu”, thotë ai, teksa tregon se “Newborn”, Pallati i Rinisë, Biblioteka Kombëtare, katedralja “Shën Tereza” e tyrbja e Sulltan Muratit janë disa nga imazhet e kthyera në suvenire me magnet. Në këtë teknikë është edhe figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbu, sikurse edhe vula e tij, pastaj portreti i Nënë Terezës, Naim Frashëri, Ibrahim Rugova, Adem Jashari e ndonjëra prej monedhave ilire.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)