Kulturë

“Shteti në kohë” për shtetin imagjinativ të kolektivit slloven

Descriptive Text

Prishtinë, 14 shkurt – “Koha për një shtet të ri. Disa thonë që atje mund ta gjesh lumturinë”, ishte fjalia me ngjyrë të bardhë e shkruar në një sfond të kuq në billbordin, i cili më 2012 zuri vend përballë katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Vendosja e këtij billbordi nga kolektivi “IRWIN” u bë në kuadër të projektit “Identity Restoration Reloaded” të qendrës për art bashkëkohor “Stacion”.

Atëkohë njerëzit që e kishin parë billbordin ishin çuditur. “Çfarë shteti tash, ne posa e shpallëm Pavarësinë”, ka kujtuar Miran Mohar të ketë thënë një kalimtar kur ishte pyetur se çfarë mendonte për veprën. Mohar është anëtar i kolektivit të njohur slloven. Pikërisht një fotografi e këtij projekti është përzgjedhur që të bëhet kopertinë e katalogut të kolektivit “IRWIN”, që u promovua të enjten në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Erdhi pesë muaj pasi po aty kolektivi hapi ekspozitën “Shteti në kohë” ku kishte shpalosur kronologjinë e “Shtetit NSK” dhe “marrëdhënien” e tij me Kosovën. Brenda faqeve të katalogut mund të lexohet shkrimi “NSK shteti në kohë” e “Është koha për rishqyrtim të shtetit: Të shtetit NSK” nga dramturgia, kuratorja e shkrimtarja sllovene Eda Cufer, “Es gibt keinen staat in Europa” (Nuk ka shtet në Evropë) nga filozofi i njohur slloven Slavoj Zhizhek, “Nga socializmi hibrid në shtet universal” nga kritiku i artit e filozofi Boris Groys e “Shteti i artit” nga filozofi, teoricieni kulturor e kritiku i filmit Mladen Dolar e të tjerë.

Rrugëtimi i këtij shteti shpaloset përmes fotografive bardhezi, që nga shkuarja e “NSK-së në Venecia” në vitin 1986, krijimi i Ambasadës së NSK-së në Moskë në vitin 1992, pastaj pamjet nga zyrat për pasaporta nëpër vende të ndryshme, pamjet nga Pavijoni i NSK-së në Venecia si shtet mysafir në vitin 1993, fotografitë e gardave të NSK-së, përfshirë edhe fotografitë e “NSK Garda Tirana” në bashkëpunim me Ushtrinë e Shqipërisë në vitin 1998 e fotografinë “NSK Garda Prishtinë” në bashkëpunim me Ushtrinë e Kosovës në vitin 2020 e deri te fotografitë e ekspozitës në GKK.

“NSK Shteti në Kohë” është një shtet që shpërndan edhe pasaporta, por nuk ka territor. Siç shpjegohet, është shtet i mendjes e jo i hartave. Ndër vite ishin jo të paktë ata që ia mësynë të marrin pasaporta edhe online, duke llogaritur që bëhet fjalë për një shtet të vërtetë e jo për një provokim artistik. Diçka të tillë bënë edhe kosovarët. Disa prej tyre morën pasaportat e këtij shteti në hapje të ekspozitës “Shteti në kohë”, vitin e kaluar për vetëm 32 euro. Të tjerët, siç ka treguar drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani, gjatë promovimit të katalogut, kanë telefonuar për të mësuar më shumë e për të porositur pasaportat. “A ka nevojë për viza” ishte një nga pyetjet që Agani kishte marrë.

E Miran Mohar, anëtar i kolektivit slloven “IRWIN” që kishte ardhur të enjten në Prishtinë pikërisht për promovimin e katalogut, ka thënë se është i lumtur që po rikthehet në Kosovë ku tashmë miq të shumtë.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)