Kulturë

Në kabinën e ndriçuesit të skenave teatrore

Në kabinën që është vendi i tij i punës, nuk flet zëshëm por pëshpërit. I duhet të veprojë kësisoj kur pyetet për ndonjë gjë, në mënyrë që të mos i pengojë provat e shfaqjes “Liza në botën e çudirave”, që këtë muaj do të jepet premierë në kuadër të programit të Teatrit të Kukullave në Teatrin e Qytetit në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.

“Dodona” është shtëpia e dytë e dizajnerit të dritave Skender Latifi. E këtu është i pazë ose vetëm pëshpërit kur i duhet. Latifi (43) për ata që e njohin është tejet i thjeshtë. Angazhohet në shfaqje jashtë “Dodonës”, në performanca të ndryshme, në teatrot e qyteteve të tjera, por duket sikur shprehia e kabinës së dritave i ka mbetur edhe në raste të tjera. Përton të flasë.

Partnerë me aktorët si dizajner i dritave, edhe pse pas publikut e larg skenës, Latifi është në hap më aktorët. Nga kabina e tij skena shihet si në shuplakë të dorës. Kur hyn në kabinë puna e parë që bën është t’ia heqë mbulesën miksetës, që i shërben të manipulojë me drita.

“Duhet mbuluar pasi pluhuri e dëmton shumë këtë”, thotë ai. E pasi ulet në karrige ndez dritat që t’i shohë qartë komandat e miksetës e më pas ndez kompjuterin që i hyn në punë për të lëshuar muzikën për shfaqje. Tash i duhet përqendrim maksimal. Këtë punë e bën prej vitit 1995. Djali i axhës së tij, Agron Gërguri, që tash udhëheq teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë, ia kishte ofruar mundësinë që ta angazhonte në “Dodonë”.

Ishte koha kurky teatër ishte më i rëndësishmi në krejt Kosovën. Në vitet ’90 të shekullit të kaluar shqiptarët bënin jetë paralele sa i përket organizimit institucional. Kësisoj, sikurse institucionet e tjera edhe ato kulturore u ishin mohuar shqiptarëve. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që ishte Teatri Popullor Krahinor, funksiononte vetëm drama serbe. Drama Shqipe e Trupa e Baletit nuk ishin duke punuar.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)