Kadare, aseti kulturor i shqiptarëve që ktheu sytë nga Perëndimi

Kadare, aseti kulturor i shqiptarëve që ktheu sytë nga Perëndimi

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 29 January 2020 11:34

Prishtinë, 29 janar – 84 vjet më parë në Gjirokastër lindi i biri i Halit Kadaresë dhe i Hatixhe Dobit. Nga qyteti jugor i Shqipërisë, në Tiranë e më pas edhe në Moskë e Paris, Ismail Kadare u bë një nga emrat më të njohur të letërsisë në botë.

Të martën, kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e ka shënuar ditëlindjen e tij duke ia ripropozuar emrin e tij Akademisë Suedeze si një nga kandidatët për çmimin “Nobel” për letërsi. Pas kësaj, shkrimtarë, studiues e profesorë letërsie – në fjalët e tyre që janë shpërndarë edhe në faqen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë – kanë vlerësuar rolin e shkrimtarit të shquar shqiptar.

Siç përshkruhet në faqen e çmimit “Nobel”, kandidatët për çmimin prestigjioz letrar janë të gjithë personat e kualifikuar që kanë pranuar një ftesë nga komiteti “Nobel”. Në muajin shtator ky komitet u dërgon forma nominimi 600-700 individëve dhe organizatave që janë të kualifikuara të bëjnë nominime për çmimin “Nobel” për letërsi. Muaji shkurt konsiderohet si afati i fundit për dorëzimin e nominimeve. Format e plotësuara duhet të arrijnë jo më vonë sesa data 31 janar. Me këtë rast Komiteti i shoshit emrat e të nominuarve dhe më pas e dorëzon një listë për miratim tek Akademia suedeze. Në prill, pas qëmtimeve të mëtejshme, Komiteti përzgjedh 15 deri në 20 emra për t’u shqyrtuar si kandidatë preliminarë nga Akademia në Stockholm. Në maj Komiteti e zvogëlon listën deri në pesë kandidatë parësorë. Gjatë muajve vijues, anëtarët e Akademisë i lexojnë dhe i vlerësojnë veprat e kandidatëve përfundimtarë. Komiteti, po ashtu, përgatit njoftime veç e veç. Në shtator mbahet një konferencë e Akademisë, gjatë së cilës akademikët suedezë, pasi kanë lexuar veprat e të nominuarve, diskutojnë meritat e kandidatëve. Në fillim të tetorit, Akademia përzgjedh laureatin e “Nobelit” për letërsi. Fituesi duhet të ketë më shumë se gjysmën e votave. Më 10 dhjetor, Akademia në Stockholm përmes një ceremonie të veçantë ndan çmimin prestigjioz për laureatin, që përbëhet nga medalja dhe diploma e “Nobelit”, si dhe një dokument që konfirmon vlerën monetare të çmimit. Sikundër shpjegohet në “Nobelprize”, statutet e fondacionit “Nobel” e ndalojnë hapjen e informacioneve mbi të nominuarit për 50 vjet. Të drejtën e të bërit propozime, sipas statutit në fjalë, e kanë anëtarët e Akademisë suedeze, por edhe të akademive, institucioneve dhe shoqërive që janë të ngjashme sa i përket përbërjes dhe qëllimit; profesorë të letërsisë dhe gjuhës nëpër universitete dhe kolegje, si dhe laureatë të mëparshëm të letërsisë.

Në fjalën e tij, kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka thënë se gjuha shqipe e arriti shkallën e saj më të lartë shprehëse përmes veprës së Kadaresë.

Ndonëse shkrimtari nuk ishte i pranishëm, Akademia e Shkencave dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kanë organizuar tryezën në formë debati “Kadare dhe letrat shqipe”.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme