Kulturë

“Përqafimi i fatit” zbërthen anatominë e popullit që shpëtoi hebrenjtë

Prishtinë, 29 janar – Një sinagogë hebraike në Sarandë dhe një tjetër në Ulpianë mund të jenë më të vjetrat në kontinentin evropian.

Kur Spanja kishte ngritur flamujt e spastrimeve të mëdha, shkulme hebrenjsh “sefardikë” do të gjenin strehë në Arbërinë bregdetare. Burimet historike të kohës flasin sesi Vlora, Berati, Janina e qytete të tjera shqiptare kishin bashkësi hebraike që ishin integruar fare mirë me popullatën vendëse. Në rrethana krejt të ndryshme, familje hebraike do të vendoseshin edhe në Kosovën e sotme, kur kishin nisur punimet për ndërtimin e hekurudhës Mitrovicë-Shkup. Në kohërat më të mira, hebrenjtë përbënin rreth 10 për qind të popullatës së Prishtinës para se ky qytet dhe viset e tjera shqiptare të pushtoheshin nga Serbia.

Me histori të ndërkëmbyera mes të shkuarës dhe të sotmes, me evokime nga familja mbretërore e Zogut, kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe pasardhësve të familjeve shqiptare që kishin strehuar hebrenj që përndiqeshin kudo në Evropë, filmi dokumentar “The Hug of Destiny” (Përqafimi i fatit) ka risjellë subjektin e miqësisë shqiptaro-hebraike duke e shtrirë prapa në histori.

Nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe “AS FILM”, ky dokumentar 68-minutësh ka pasur premierën e vet të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Regjisori kroat Jakov Sedlar, që ka shkruar edhe skenarin e dokumentarit, ka vlerësuar lart atë çfarë bënë shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)