Në një stil bashkëkohor dhe në mbizotërimin e të verdhës dhe së kaltrës u hap ekspozita e artistes Erblina Karaliti në Shtëpinë e Evropës në kryeqytet. E titulluar “2055”, kjo ekspozitë ka si koncept ndryshimin e klimës, dhe me anë të saj është synuar të paraqitet bota e ardhshme, pikërisht ajo e vitit me të cilin është titulluar ekspozita.
Disa me printime digjitale dhe disa të pikturuara me brushë dhe ngjyra, pikturat e kësaj ekspozite paraqiten përmes akrobacioneve të ndryshme, të cilat paraqesin njeriun dhe jetën e tij herë në tokë e herë në univers. Pavarësisht se ku, ato paraqesin jetën e njerëzve në një kohë të ardhshme, në të cilën sipas autores më shumë do mbizotëroj e kaltra dhe e verdha, dhe shumë më pak hapësira që pasqyrojnë gjelbërim. Kjo ekspozitë në imagjinatën e autores shpërfaq atë që ndryshimi klimatik do të sjellë. Cikli i veprave ka nisur të punohet qysh nga karantina.
“Ideja e kësaj ekspozite është ndryshimi i klimës, vetë tema është ‘Ndryshimi i klimës’, ndërsa si titull është ‘2055’. Koncepti i saj është një e ardhme dhe pikturat shihen si peizazhe konceptuale ose piktura bashkëkohore të cilat si temë kanë një të ardhme ku na pret një ndryshim klime jo i mirë. Peizazhet dhe gjelbërimi janë shumë duke na u larguar”, ka thënë piktorja, Erblina Karaliti pas inaugurimit të ekspozitës. Ajo këtë ndryshim arriti ta paraqesë me pikturimin e një lloj parashikimi, që sipas saj do të jetë gjendja normale e njeriut të 2055-s pas ndryshimeve klimatike.
Artisja e kësaj ekspozite me kalimin e kohës kaloi nga peizazhet, në një stil pak më ndryshe në të cilin edhe e solli këtë ekspozitë. Por prapë pa i humbur motivet e natyrës dhe hapësirës. Këtë ndryshim në stilin e saj e tregon edhe profesoresha e saj e dikurshme e artit. Karaliti, që studioi pikturën në Fakultetin në Arteve të Universitetit të Prishtinës, ishte nxënëse e saj para disa vitesh. E tash Lebibe Topalli, mësimdhënëse në shkollën e artit “Çesk Zadeja” në Ferizaj, mund të vërejë avancimin e Karalitit nga koha kur autorja ishte nxënëse e saj.
“Erblina është dalluar me disiplinë në punë. Ka qenë një punëtore e jashtëzakonshme. Ka pasur një përparim mjaft të madh nga viti në vit. E kam pritur një sukses të sajin në një ekspozitë, por jo kaq shpejt. Çka më bën përshtypje është një përparim dhe një ndryshim kaq i madh dhe drastik i Erblinës. Një ndryshim i stilit” ka thënë Topalli, e cila njëherësh udhëheq me festivalin e njohur “MuralFest”. Ka treguar se i pëlqen shumë që Karaliti ka hyrë në një art konceptual, sipas saj, një art më i thellë, mirë i menduar përveç estetikes dhe anës së bukur që veçse shihet.
E të bukura për t’u parë dhe të veçanta në përmbajtje i konsideruan këto vepra edhe vizitoret e kësaj ekspozite. Ata “shëtitën” nëpër secilën pikturë, duke dëgjuar shpjegimet që Karaliti bënte për to, dhe duke bërë një udhëtim në një kohë që pritet të vijë.
“Unë në këtë ekspozitë po e shoh që në kohën e ardhshme do të ketë shumë probleme me ajrin dhe me klimën. Po e shoh që kjo është paraparë nga artistja në pikturat e saj. Vërtet më pëlqeu secila dhe nuk di cilën ta veçoj”, ka thënë Isa Rexha teksa po analizonte secilën nga këto piktura. Ai tregoi se vetë nuk është artist, por se arti është një sferë e cila atij ia tërheq vëmendjen dhe e bën të interesohet për të.
Kjo është ekspozita e dytë personale e artistes, në mesin e shumë të tjerave kolektive në të cilat ajo mori pjesë. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për vizitorët deri më 15 korrik, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.