Strehimorja në “Breg të Diellit” s’ofron zgjidhje për fondin e Galerisë

Strehimorja në “Breg të Diellit” s’ofron zgjidhje për fondin e Galerisë

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 24 January 2020 08:24

Fondi prej 908 veprave i Galerisë Kombëtare të Kosovës ka vite që mbahet në depon e këtij institucioni. Në programin për këtë vit të publikuar të enjten, ka paraparë ta ekspozojë. Por s’do të mund t’ia prezantojë publikut as 5 për qind prej këtij koleksioni veprash të grumbulluara gjatë dekadave nga institucioni që sivjet shënon 41-vjetorin e themelimit.

Strehimorja në “Breg të Diellit”, e konsideruar si një hapësirë që do t’i bënte çare GKK-së për këto vepra, del të mos jetë zgjidhje. Hapësira është e pamjaftueshme për krejt fondin. Aty mund të ekspozohen jo më shumë se 40 vepra. Në rregullimin e ambientit të strehimores me qëllim për ekspozimin e veprave, Komuna e Prishtinës do të investojë rreth 50 mijë euro. Kontrata me kompaninë që do ta kryejë këtë punë tashmë është nënshkruar pas ritenderimit, për të cilin ishin lënë në dispozicion 66 mijë euro.

Ekspozita me vepra nga fondi është vetëm një prej pikave të programit të GKK-së, i cili është miratuar nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni, ani pse ende nuk dihet se sa buxhet do të ketë në dispozicion. Fiks 261 mijë e 600 euro është kërkesa për buxhet me të cilën i është adresuar Ministrisë së Kulturës. Synon të realizojë shtatë ekspozita individuale – me veprat e Burim Gashit, Lirie Buliqit, Alban Mujës, Sigmar Polkes, Jakup Ferrit, Zharko Bashevskit dhe Eliza Hoxhës – e katër grupore. Te këto të fundit në program janë “Onufri Remade”, ekspozita e Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, ajo e artistëve nga Bosnjë-Hercegovina, si dhe bienalja tradicionale “Muslim Mulliqi”. E përmes shkëmbimit të ekspozitave GKK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë Veriore, Bosnjë-Hercegovinën dhe Turqinë.

Për ekspozitën me vepra të fondit ka kërkuar 15 mijë euro. Sipas drejtoreshës së GKK-së, Arta Agani, kjo shumë mund të mbulojë pjesërisht shpenzimet. Por nuk është ky problemi kryesor në lidhje me strehimoren në “Breg të Diellit” që të funksionalizohet për këtë institucion. Ekspozimi i disa veprave nuk e zgjidh problemin e ruajtjes së koleksionit që ndër të tjera ka vepra të Andy Ëarholit, Edo Murtiqit, Fatmir Krypës, Fatmir Zajmit, Franco Gentilinit, Gabrijel Stupicas, Rexhep Ferrit, Gjelosh Gjokajt, Nysret Salihamixhiqit, Hilmija Qatoviqit, Shyqri Nimanit, Muslim Mulliqit, Xhevdet Xhafës, Tahir Emrës e së fundmi edhe të Sislej Xhafës.

“Ekspozimi i disa veprave nga koleksioni assesi nuk e zgjidh problemin e ruajtjes së koleksionit, sepse koleksioni do të mbetet në depon e GKK-së, ndërsa strehimorja do të jetë një lehtësim i madh sa i përket ekspozimit të koleksionit i cili tani për tani qëndron në errësirë. Pra, strehimorja do të jetë salla muzeale për ekspozitën (semi)permanente të koleksionit”, ka thënë Agani. Ka treguar se projekti ende nuk është detajuar, pasi që është i ndërlidhur me hapësirën, por do të jetë i inspiruar nga ekspozita e parë me rastin e inaugurimit të GKK-së, më 1979.

Zgjidhja e përhershme për koleksionin e GKK-së me vepra emrash të njohur jo vetëm vendorë, gjithherë ishte menduar muzeu i artit bashkëkohor, i cili tash e më shumë se një dekadë është shembull i dështimit. Projekti i 2007-s prej atëherë ka mbetur në letër, përderisa Ministria e Kulturës çdo vit në buxhet planifikon si investim kapital.

E sa për përshtatjen e hapësirës së strehimores në “Breg të Diellit”, Agani ka thënë se ka goxha punë deri te finalizimi.

Me gjerësisht në numrin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme