Kulturë

Konfirmohet lajmi, Adele shumë shpejt do të publikojë muzikë të re

Menaxheri i kantautores së njohur britanike, Adele, e konfirmuar lajmin se këngëtarja do të lansojë muzikë të re gjatë këtij viti.

Jonathan Dickins ka thënë për revistën “Music Week”, se Adele më në fund ka vendosur ta publikojë albumin e radhës, pas incizimit tejet të suksesshëm të vitit 2015 me titull, “25”.

Hera e fundit që këngëtarja shumë e dashur për publikun mbarë botëror na bëri të kuptojmë se shumë shpejtë pritet të sjellë muzikë të re, ishte në maj të vitit të kaluar për ditëlindjen e saj të 31-të.

“I mbusha 31-vjet falë zotit. Viti i kaluar më ka sfiduar tej mase por po e përballoj sa më mirë që është e mundur dhe po provoj tej mase të adaptohem. Për herë të parë në një dekadë, jam e gatshme ta ndjejë botën përreth dhe të qëndroj kokë lartë. Albumi i ri me titull “30” mund të publikohet së shpejti dhe për inatin tuaj, do të përmbajë muzikë krejt ndryshe nga ajo që jeni mësuar,” kishte shkruar duke bërë shaka Adele.

Vitin e kaluar, kantautorja e njohur për baladat e dashurisë, “Someone Like You” dhe “Hello”, e bëri publik lajmin se është ndarë nga bashkëshorti, Simon Konecki. Çifti kishte shtatë vjet lidhje dhe besohet se dashurinë e kishin kurorëzuar me martesë në vitin 2017. Adele, e cila njihet për ruajtën e privatësisë, dhe ish-bashkëshorti i saj Konecki, e kanë një fëmijë së bashku.