Censura e përjashtimet masive godasin teatrot shtetërore turke

Censura e përjashtimet masive godasin teatrot shtetërore turke

21 January 2020 13:02

Ankara, 21 janar – Të paktën 150 profesionistë teatri në Turqi janë dëbuar pa ndonjë arsye. Pak ditë para se kjo të ndodhte, ata po shpresonin të merrnin pozita të përhershme. Është kjo pjesë e spastrimeve të presidentit Erdogan?

“Ne e filluam vitin e ri me shpresa të mëdha për shkak se po prisnim që së shpejti të merrnim kontratat”, ka thënë një aktor 30-vjeçar që është larguar nga teatri shtetëror turk pa paralajmërim. Artisti, që pëlqen të mbetet anonim, luante aty gjashtë ditë në javë dhe kishte role kryesore në vepra të ndryshme. Ai ishte mes atyre në stafin e teatrit jeta e përditshme e të cilëve u trand papritur nga një varg i papritur largimesh: “Ne të gjithë jemi të tendosur, ngase askush nuk e di se me çfarë po na akuzojnë neve. Ata që s’janë në listë janë të shqetësuar, për shkak se mund të pësojnë në çdo çast”.

Në të vërtetë, 2020-a pritej të ishte vit i mirë për stafin e teatrove shtetërore turke. Madje një gazetë zyrtare, e botuar më 24 dhjetor, u kishte dhënë atyre përshtypjen se kushtet e punës do të përmirësoheshin. Me titullin “Ndryshimet e rregullave për punësimet e agjentëve të kontraktuar”, aty përmendeshin masat që me gjasë do të mundësonin pozita më të përhershme në teatrot shtetërore.

“Disa prej artistëve tanë dhe stafi teknik (në teatrot shtetërore) kanë punuar pa ndonjë status të qartë; tani ata do të bëhen stafi ynë në baza kontraktuale”, kishte thënë asokohe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, duke shtuar që “të gjitha brengat mbi sigurinë në punë do të hiqen; kushtet në punë tani janë të garantuara nga shteti”.

Si rrjedhojë, drejtorët e teatrove shtetërore u ofruan të pavarurve të tyre që të aplikonin për pozita të përhershme mes datave 26 dhe 30 dhjetor. Shumë prej tyre bënë kështu. Megjithatë, disa ditë më vonë, ata u përballen me një befasi të pakëndshme: të paktën 150 punëtorë të pavarur në teatrot shtetërore, opera apo në balet janë pushuar pa u njoftuar, për arsye të panjohura.

“Punësimi i stafit të kontraktuar nuk ishte miratuar nga drejtori nën kushtet e punësimit”. Këto ishin fjalët e vetme në letrën e verdhë që iu dha atyre papritur, duke e lënë përjashtimin e tyre pa ndonjë shpjegim të mëtejshëm.

“Një vit më parë unë vetë isha njoftuar se do të fitoja punësim të plotë. Pas kësaj, unë u përqendrova krejtësisht në këtë opsion dhe bëra plane për të ardhmen”, ankohet një tjetër aktor, të cilit menjëherë pas një shfaqjeje në skenë iu dha letra e verdhë. Artistët vetëm mund të spekulojnë për motivet e përjashtimit të tyre. Shumë besojnë se kjo është për ata që morën pjesë në protestat në Gezi në vitin 2013 dhe kështu morën qëndrim kundër Qeverisë asokohe.

Thuhet se largimet masive nuk janë vendosur në të njëjtën kohë nga drejtorë të ndryshëm teatrosh, kështu që Ministrisë së Kulturës i është kërkuar të japë shpjegim – të cilin ende s’e ka bërë. “Nuk ka pasur njoftim zyrtar për largimet, por thuhet se është i lidhur me hetime mbi sigurinë. Ka shumë pandehma për shkak se nuk ka transparencë sa i përket kësaj situate”, ka thënë Sercan Gidisoglu nga Unioni i Aktorëve në Turqi. Sipas Gidisoglut, nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e të larguarve.

Klima e tashme politike është mjaft brengosëse.

“Ata, kontratat e të cilëve janë shfuqizuar, nuk kanë një profil uniform. Për shkak se mund të prekë secilin, ka frikë të madhe për të ardhmen”.

Një aktor, i cili ka aplikuar për një pozitë të përhershme, ka nënvizuar se procesi i plotësimit të pozitave të reja së fundmi është bërë më i padrejtë: “Ka pasur një test të aftësive për stafin. Sot, punëtorë të rinj janë zgjedhur nga lart, pavarësisht nëse kanë ose jo ndonjë diplomë të Konservatorit”. Aktori i ri spekulon se qëllimi është që të merren njerëz që e mbështesin shtetin. Kritikët thonë se Qeveria turke gjakon të shtrijë mbizotërimin e vet edhe në sektorin kulturor dhe atë social.

Aktorët që kanë folur për “Deutsche Wellen” ishin të shqetësuar për rritjen e censurës në teatrot shtetërore. Tashmë ka ndërhyrje politike në zgjedhjen e dramave. Fjala vjen, dramaturgu turk Memet Baydur thotë se drama e tij “Kamyon”, e cila u kushtohet fshatarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, nuk mund të inskenohet. Ai thotë se një tjetër shfaqje u anulua për shkak se aktori kryesor ishte në mesin e atyre që u pushuan nga puna. U duk që ajo ishte tepër demaskuese për shijet konservatore, ka shtuar autori.

Baydur beson se ka alamet vetëcensure në teatrot shtetërore.

“Vetëcensura do të vazhdojë të rritet me zhvillimet e tashme”. Sipas Baydurit, faktori vendimtar është ndikimi i autoritetit presidencial të komunikimeve (CIMER): “Ka gjithnjë njerëz që ankohen ndaj CIMER-it. Trysnia është shtuar gjatë kësaj kohe dhe do të vazhdojë të rritet”.

Rrethanat që kanë të bëjnë me largimet e profesionistëve të teatrit mbetën të errëta. Ka vetëm një shënim të vegullt në webfaqen zyrtare të teatrove shtetërore të Turqisë, Drejtoria zyrtare e kompanive kombëtare të teatrove në Turqi: “Nga 1 janari 2020, personeli përgjegjës duhet të përmbushë kushte të caktuara në përputhje me nenin 8 të Rregullave të Punësimit të Personelit të Kontraktuar”.

Deputetë të Kuvendit, si Baris Atay nga Partia Punëtore Turke (TIP) dhe Alpay Antmen nga Partia Socialdemokrate (CHP), kanë bërë një pyetje parlamentare për Ersoyin, ministër i Kulturës dhe Turizmit. Ata kërkojnë qartësimin e largimeve masive – ashtu sikundër edhe transparencë për ata që i plotësojnë vendet e papritura bosh në teatrot shtetërore/ Deutsche Welle.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme