Kulturë

Steve Martin dhe Martin Short, ribashkohen shumë shpejt në ekran

Dy ikonat e komedisë, Martin dhe Short, pritet të ribashkohen në ekran, me rastin e realizimit të serisë së re komike të kanalit “Hulu”.

Të njohur për bashkëpunimin e tyre në filmat, “Three Amigos” dhe “Father of the Bride”, shokët e kamotshëm, së shpejti do të luajnë në një seri të re që për producent e ka krijuesin e hitit televiziv “This Is Us”, Dan Fogelman.

Projekti u bë i ditur për publikun gjatë një konference të mbajtur në Pasadena.

Seria besohet se do ta sjellë historinë e tre personave të panjohur, të cilët e ndajnë bashkë obsesionin ndaj krimeve të vërteta, dhe rastësisht e gjejnë veten të përfshirë në një krim.

E realizuar nga studioja filmike “20th Century Fox TV” që është pronë e kompanisë “Disney”, seria ende nuk ka titull.

Dy aktorët veteran, së fundmi e kanë realizuar mjuzikllin komik, “Steve Martin and Martin Short: An Evening You Will Forget for the Rest of Your Life”, i cili u transmetua në platformën digjitale “Netflix”.