Kulturë

“La dolce vita” – kryevepër surreale e modernizmit

Për një moment marramendës gjatë periudhës së çorientuar të pasluftës, kinemaja dhe Federico Fellini e vënë Romën në epiqendër të botës; tani kryevepra e tij e hershme e 1960-s “La dolce vita” po jepet sërish në kuadër të shfaqjeve retrospektive të “BFI Southbank”-ut në Londër, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së tij, shkruan sot Koha Ditore.

Është ky një film që ngërthen gjenialitetin e Fellinit për të behur me imazhe prej ëndrrash dhe krejtësisht surreale në çdo skenë, sidomos me pamjen e jashtëzakonshme të Jezu Krishtit tek bartet me helikopter mbi qytet, me sa duket në rrugëtimin e tij për t’iu dorëzuar Papës.

Filmi e gjen Romën në një gjendje histerike, ngacmuese, por edhe disi të dëshpëruar – në atë të “Il Boom”, ringjalljes ekonomike dhe kulturore, në të cilën Italia ishte euforikisht e interesuar që ta shlyejë nga kujtesa katastrofën e fashizmit dhe disfatën, dhe ta fillojë nga e para, me nxitimin e vrullshëm drejt modernizmit dhe ngazëllimit: me anë të filmave, muzikës, modës dhe stilit. Ishte sikur ndjesia bashkëkohore dhe hedonizmi i Romës së re e kishin ringjallur shpirtin e Romës parakrishtere dhe të ritualeve pagane. Por krejt kjo bashkëjeton me njëfarë melankolie sekrete, me shpërthimin spiritual që ngërthen mërzinë dhe frikën.

Në këtë film Marcello Mastroianni luan rolin e Marcellos, një gazetar i pashëm dhe i zellshëm i thashethemeve që njihet si burrë qyteti, që nuk e ndal as terri i natës, një donzhuan i njohur, aferat e të cilit e zhysin në dëshpërim të dashurën e tij të rregullt Emma (Yvonne Furnaux).

Ç’është më e rëndësishme, ai është frekuentues i rregullt i kafenesë së famshme “Via Veneto”, ku yjet hollywoodiane dhe italiane të filmit rrethohen vazhdimisht nga fotoreporterët agresivë; është ky vendi ku vetë kolegu i Marcellos, Paparazzo (Walter Santesso) ia dhuroi botës një fjalë të re. (Kur Marcello iu adresua atij acartë me shprehjen “Paparazzo!” tingëlloi sikur po e akuzonte në një mënyrë të paqëllimshme).

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)