Kulturë

“1991” ngre paralele mes luftërave në Kroaci e Kosovë në idenë e dashurisë

Nga 120 fotografi sa i ka ekspozita origjinale, 44 i ka sjellë në

Nga 120 fotografi sa i ka ekspozita origjinale, 44 i ka sjellë në Prishtinë. Imazhet nga Vukovari, trupat e pajetë që shtrihen në rrugë, si kukulla dyqanesh të thyera, në sipërfaqe duken vetëm njolla të përditshmërisë urbane, pa një ngjyrë që paraqet gjakun. Në Voqin, arkivolet rresht, me flamuj, në qendër të qytetit, bëhen matricë e një përkujtimi të ngurosur

Kujtesa që shpesh bëhet hi librash e njolla rruge është shfaqur të enjten si dëshmi e ftohtë dhe e kthjellët te “Hani i 2 Robertëve”. Ekspozita “1991” e fotoreporterit kroat, Zoran Filipoviq-Zoro, ka vendosur në vështrim të afërt fytyrën e një viti që ka shënjuar Kroacinë dhe rajonin. Ngjarja ka marrë trajtë retrospektive në një hapësirë që prej dekadash i ka dhënë frymëmarrje artit të pavarur në Prishtinë.

Seria e Filipoviqit, e njohur edhe nga monografia e tij me të njëjtin titull, ka përmbledhur rrëfimin e një dëshmitari që ka punuar nën pseudonimin “Zoro”, teksa ka fotografuar në vende e momente ku të tjerët nuk kanë arritur të futen. Pseudonimi ka qenë zgjedhje e sigurt në kohën kur ai ka punuar për “Magnum Photos” në Paris, Londër, New York e Tokio, ndërsa fotografitë nga Vukovari, Voqini e Dubrovniku janë botuar nga media të mëdha ndërkombëtare.

I lindur në Brçko të Bosnjës, ai e ka nisur karrierën në revistat “Start” dhe “Danas”. Ka botuar rreth njëzet libra, duke ndërthurur fotografinë me prozën. Fotografitë e shkrimet e tij janë publikuar në: “Le Figaro Magazine”, “Paris Match”, “Life”, “Die Zeit”, “FAZ Magazin”, “Vogue/GQ” e “Photo”. Ekspozitat e tij janë shfaqur nga Stokholmi në New York, nga Praga në Teheran e Mexico City; veprat i janë vlerësuar me çmime në Gjermani dhe gjetiu. Që prej vitit 1978 jeton dhe punon në Zagreb.

Ekspozita që ka prezantuar në han, frymon bardhezi, pa shkëlqim, me dialogun e pakorruptueshëm të dritës e hijes. Nga 120 fotografi sa i ka ekspozita origjinale, 44 i ka sjellë në Prishtinë. Imazhet nga Vukovari, trupat e pajetë që shtrihen në rrugë, si kukulla dyqanesh të thyera, në sipërfaqe duken vetëm njolla të përditshmërisë urbane, pa një ngjyrë që paraqet gjakun. Në Voqin, arkivolet rresht, me flamuj, në qendër të qytetit, bëhen matricë e një përkujtimi të ngurosur. Në Vinkovc, biblioteka e djegur – “libra prej hiri” që shpërbëhen në prekje – e kthen dhomën në varrezë letrash. Diku tjetër, pranë një ure të shkatërruar në Petrinje janë pamje të dëshpëruara, në një tjetër janë bombola gazi të vëna si kurthe që tregojnë shpikjet e dëshpërimit, një qen që ruan oborrin bosh duket si dëshmitar i heshtur i një qyteti pa njerëz.

Imazhet që faktojnë katastrofat e shkaktuara gjatë asaj periudhe, fotografi Filipoviq i ka quajtur “imazhe të dashurisë”.

“Në shikim të parë, këto fotografi duken sikur të jenë për katastrofa a për vdekje, mirëpo prej perspektivës sime, ato kanë një mesazh tërësisht ndryshe. Janë imazhe të dashurisë, sepse nga ana e armikut tonë, forca që i motivonte ishte urrejtja; na kanë urryer, njëjtë siç i kanë urryer shqiptarët, mirëpo kemi qëndruar ndaj tyre përmes dashurisë, meqë humbnim familjet tona, të dashurit tanë, shtëpitë dhe shtetin tonë të dashur. Vetëm atëherë e kemi humbur luftën, sepse urrejtja asnjëherë s’mund të jetë më e fortë se dashuria”, ka thënë ai.

Rendi i punëve ka kërkuar afërsi. Fotot nuk tregojnë efekt, por kërkojnë lexim të qetë, distancë të barabartë. Në disa segmente, mungesa e shënimeve të hollësishme pranë punëve e ka lënë interpretimin mbi supet e shikuesit, megjithatë koherenca e ciklit e ka udhëhequr leximin, nga trauma drejt një etike të kujtesës.

Reagimi i publikut ka qenë i ngrohtë, bisedat janë ndalur gjatë tek etika e dëshmisë dhe te mënyra se si një fotografi historike mund të mbetet aktuale pa retorikë. Është kujtuar mes tjerash edhe kontributi i shqiptarëve në atë periudhë.

Portreti profesional i Filipoviqit, i lidhur ngushtë me Kroacinë e vitit 1991, ka edhe një nyjë kosovare: ai ka kaluar dy vjet të rëndë në Kosovë, që nga dhjetori 1989, në kulm të lëvizjeve të minatorëve të Trepçës, ka ndjekur nga afër alternativën politike dhe ka parandier përshkallëzimin e konflikteve. Kjo përvojë ka ushqyer vigjilencën e tij ndaj detajit, ndaj asaj që nuk shihet në plan të parë.

“Shumë shqiptarë iu bashkuan ushtrisë kroate dhe më vonë u bënë pjesë e fuqishme e përballjes shqiptare me agresionin serb, meqë kishin marrë tashmë eksperiencë, njëjtë siç kisha sjellë edhe unë këtu eksperiencën time prej luftës në Kroaci”, ka shtuar fotografi Zoran Filipoviq.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, ka theksuar rëndësinë e reportazhit të fotografit. Ajo ka thënë se përmes tij, bota i ka njohur vuajtjet e një populli që s’kishte asgjë, veç durim e dashuri.

“Falë fotografive të Zoranit, përfshirë edhe ato që janë bërë këtu në Prishtinë dhe në të gjithë Kosovën, bota është njoftuar me situatën këtu, ka mësuar se çfarë regjimi ishte ai i Millosheviqit dhe ishin të njohur me shtypjen dhe dhunën që kishte ushtruar ai. Krejt falë Zoranit. Më 1991, kur kishte filluar agresioni në Kroaci, kemi qenë të paarmatosur, gati askush nuk na njihte, s’kishim asgjë, përveç forcës dhe dashurisë për atdheun”, ka thënë ajo para publikut në han.

Një fjalim të shkurtër e ka mbajtur edhe fotografi e profesori Afrim Spahiu. Ai ka spikatur mënyrën se si fotografia e Filipoviqit e posedon shpirtin e kohës.

“Para nesh qëndron vepra e Zoran Filipoviqit, një mjeshtër i rrallë i fotografisë, i cili me aparatin e tij ka kapur dhe përjetësuar jo vetëm imazhe, por shpirtin e kohës. Fotografitë e tij janë dëshmi të historisë, por edhe pasqyrë e ndjenjave njerëzore që shpesh mbeten pa zë. Ato flasin për luftën dhe dhimbjen, por njëkohësisht për dinjitetin, shpresën dhe dritën që mbijeton edhe në errësirë. Gjurma që Zorani ka lënë në artin fotografik është reflektim i së vërtetës, një dialog i sinqertë mes të zezës dhe të bardhës”, është shprehur ai.

Mes të pranishmëve ka pasur edhe prej atyre që ngjarjet e Vukovarit e të Dubrovnikut i kanë përjetuar prej së afërmi. Gani Maxhuni, që në atë kohë kryente studimet në Zagreb, ka treguar ndjenjën që ia ngjall kjo ekspozitë, duke qenë se gjatë asaj kohe ka bashkëndier dhimbjen me popullin kroat.

“Na ngjall kujtime të dhimbshme të asaj kohe, peripecive të mëdha të popullit kroat dhe gjatë kohës së studimeve, ne që kemi qenë atje, të gjitha eksperiencat, të gjitha dhimbjet dhe ngjarjet që i kemi bashkëjetuar me ta. Ngjarja ka qenë e dhimbshme dhe këto sekuenca nga ajo periudhë e lavdishme, të themi, e popullit kroat që nën thundrat e ushtrisë serbe, e larguan dhe e dëbuan nga territoret e tyre, ishin edhe për ne si udhëzim se një gjë e tillë do të mund të ndodhte së shpejti edhe në Kosovë”, ka thënë ai për KOHËN derisa i vështronte fotografitë e artistit. Ka ritheksuar praninë e shqiptarëve në ato luftëra, se si ata dalloheshin për mbështetjen ndaj forcave kroate.

“Në luftën për çlirimin e Kroacisë, kontribut të madh dha edhe Garda Shqiptare në Gospiq. Luftëtarët shqiptarë u dalluan për trimëri dhe sakrificë, duke qëndruar krah për krah me forcat kroate në mbrojtjen e territorit dhe çlirimin e vendit nga forcat pushtuese”, ka shtuar Maxhuni.

Edhe Shefki Ukaj, që gjatë asaj epoke ka qenë korrespondent në “Veçernji list” e në “Vjesnik”, ka kujtuar kohën kur është parë për herë të fundit me artistin. Takimi me të pas më shumë se tri dekadash, sipas tij, ka qenë jashtëzakonisht emocional.

“Kjo ekspozitë ishte një ngjarje shumë e veçantë, për arsye se me artistin që është një maestro i kësaj fushe si fotoreporter që ka marrë pjesë në ngjarjet e Vukovarit të Kroacisë, në ngjarjet e Dubrovnikut, por ka marrë pjesë edhe në vitet ’90 në Kosovë, kur kanë qenë minatorët në Trepçë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Pas 34 vjetësh, rasti deshi që u pamë gjallë, ishte mrekulli e madhe, isha plot emocione. Ky njeri ka krijuar ura të veçanta mes popullit kroat dhe popullit të Kosovës, që unë si koleg kam qenë i privilegjuar dhe jam krenar që njihemi dhe kur u pamë ishim plot emocione”, ka thënë ai.

Hapësira e “Hanit të 2 Robertëve”, vetë një “brend” kulturor i Prishtinës që ka sfiduar regjimin dhe ka strehuar komunitetin e artistëve në vitet ’90, i ka dhënë mbrëmjes një shtresë tjetër, një ekspozitë që lexohet si dialog mes dy përvojave që mes vete janë mjaft të afërta, Kroacisë së 1991-shit dhe Kosovës së viteve në vijim, me fotografi si dëshmi që synojnë ta shmangin harresën.