Kulturë

“Unë jam Anemone” thyen heshtjen për vuajtjen

“Unë jam Anemone”, është libër që thyen paragjykimet dhe hap një këndvështrim ndryshe për të gjykuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai sjell para lexuesit një version ndryshe të një libri, ku përshkruhen rrëfimet e 24 grave dhe vajzave dhe një rrëfim të një burri, që përjetuan tmerrin e dhunimeve seksuale nga agresori serb, shkruan sot Koha Ditore.

Libri vjen për lexuesit kosovarë, shqiptarë dhe ata përtej kufijve, pasi që është në gjuhën shqipe dhe angleze (të dy versionet në një libër të vetëm), promovuar në Gjakovë dhe Prishtinë gjatë muajit nëntor-dhjetor 2019. Këto rrëfime, janë sjellë para publikut me zërin e aktorëve kosovarë, dhe kështu publiku ka pasur mundësi të dëgjojë dhe të marrë emocionin ende pa e marrë librin, duke qarë me lot dhe bashkëndier dhimbjen me secilin të mbijetuar.

Ky libër përmban rrëfime të vërteta dhe autentike të klientëve të organizatës “Medica Gjakova”, përcjellë drejtpërdrejt nga këshillueset psiko-sociale të kësaj organizate, dhe shkruar e redaktuar nga bashkautorja, Salie Gajtani-Osmankaq.

Andaj, përmes këtij libri lexuesit i ofrohet një perspektivë ndryshe, për të kuptuar dhe për të parë skemën e dhunimeve seksuale, abuzimeve fizike, psikologjike e shpirtërore të viktimave, gjë që në mënyrë të programuar dhe strategjike ushtria dhe policia serbe përdorën për të lënë gjurmë të pashlyera në mendjen dhe trupin e të mbijetuarve të dhunës seksuale edhe pas 20 vjetëve.

Libri përmban shumë dhimbje e lot, shumë frikë dhe pikëllim, shumë net pa gjumë dhe gjumë në ankth, shumë mendime negative për botën dhe veten, e shumë urrejtje për të kaluarën dhe trishtim për të tashmen. Vetëm e ardhmja në këtë libër është shpresë, është falënderim që të mbijetuarit janë gjallë, dhe është një mundësi më shumë për të jetuar pjesën e mbetur të jetës…një pikë krenarie, në mes të gjithë këtij ankthi, është rezistenca e të mbijetuarve me trupin e tyre. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)