Anthony Hopkinsi dhe Jonathan Pryce shpërfaqin një formë të jashtëzakonshme aktrimi në filmin sa humoristik e të butë po aq dhe skajshmërish sentimental “The Two Popes”, shkruar prej Anthony McCartenit nën regji të Fernando Meirellesit, që flet për një romancë vëllazërore midis dy Papëve, shkruan sot Koha Ditore.
Është argëtues nëse i merrni me mend takimet qesharake private, që supozohet të kenë ndodhur në pallat, një dekadë më parë midis Papa Benediktit të Gjashtëmbëdhjetë, dikur kardinali austriak Joseph Ratzinger (Hopkinsi) dhe kardinalit argjentinas Jorge Bergoglio (Pryce) teksa Papa po e shqyrtonte vendimin e tij sensacional për t’u pensionuar, dhe më herët, në rastin e Bergoglios – liberalit të supozuar dhe kritikut të qëndrimeve konservatore të pararendësve – tek ngjitej në papat, si Françesku i Parë.
Bergoglio udhëton në pallatin veror të Papës në periferi të Romës, duke dashur që ta paraqesë personalisht kërkesën e tij për pensionim; Papa prerazi ia refuzon, gjoja ngase një lloj i tillë i pensionimit do të shihej si kritikë për vetë udhëheqjen e tij. Por mund të jetë që, me finesë të pakufishme, Shenjtëria e tij ka dashur që ta mbante Bergoglion në detyrë – sepse synonte që ta përgatiste për detyrë më të lartë?
E po mirë, në jetën reale, Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë në thellësi të zemrës mund të mos ketë qenë i kënaqur me të përzgjedhurin e Vatikanit si pasues. Por filmi, në mënyrë interesante – nëse mbase jo krejtësisht qëllimshëm – sugjeron se Françesku i Parë i ardhshëm i kishte pikërisht ato cilësi konservatore të kompromisit materialist që Benedikti do t’i konsideronte si të pëlqyeshme.
Hopkinsi është tepër i natyrshëm në përjetësimin e Benediktit: është i ashpër, reaksionar dhe me atë shikimin depërtues symprehtë nën flokët dëborë të bardhë dhe rrudhat e një plaku të shpërfillshëm e kryelartë, si ai që kishte portretizuar së fundi në “Shakespeare’s Lear” (me Prycen si Cordelia dhe pa ndonjë bijë tjetër për ta prishur ahengun).
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)