Kulturë

Asnjë veprim pas mbulimit të muralit në Prishtinë

Descriptive Text

Mbulimi i muralit te rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës nga ana e Fushë-Kosovës ishte bërë nga një kompani e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Pavarësisht që kanë kaluar dy javë prej mbulimit të kësaj vepre arti me ngjyrë të hirtë, institucionet nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim.

Komuna e Prishtinës pret që MIT-ja, si autoritet që ka angazhuar kompaninë, ta zgjidhë këtë çështje, përderisa drejtuesi i organizatës që ka sjellë artistët për t’i punuar muralet ka thënë se nuk i ka të qarta politikat e shtetit sa u përket veprave të artit në hapësira publike, shkruan sot Koha Ditore.

Në ditën e 18-të të muajit të kaluar, një vajzë në sfond të së cilës ishte një alamet qyteti pas katër muajsh prej kur u punua, ishte mbuluar. Reagimi i Komunës së Prishtinës e qytetarëve ishte goxha i zëshëm në rrjete sociale, por me aq edhe ka përfunduar të paktën dy javë pas mbulimit.

Dy murale të tjera afër atij të artistit parisien, i njohur me emrin Ludo, nuk janë prekur. Vepra e mbuluar ishte punuar në fillim të muajit gusht të këtij viti, në kuadër të edicionit të pestë të festivalit “Guerilla Art Festival”. Në skajin e djathtë të saj, artisti kishte shkruar nofkën e tij me germa të mëdha – “LUDO”. Bëhet fjalë për artistin e lindur më 1976, i cili është i njohur për ciklin e veprave “Nature’s Revenge” (Hakmarrja e natyrës). Nëpërmjet ekspozitave e ndërhyrjeve të tij ka lënë gjurmë në vende të ndryshme të botës. Parisi, Berlini, Amsterdami, New Yorku e Londra janë veç disa prej qyteteve ku ai kishte shprehur shkathtësinë. Në “hartën” e veprave të tij u fut edhe Prishtina, por jo më shumë se katër muaj.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)