Kulturë

Nëntë rrëfime për anën tjetër të Kosovës si thirrje për barazi

Prishtinë, 20 nëntor – Gjatë një shëtitjeje kah “Rruga B” ajo ishte stepur kur kishte parë vetura të shtrenjta. Por përtej kësaj kishte zhbiruar edhe një anë tjetër të Kosovës me shumë njerëz që ballafaqoheshin me një përditshmëri sfidash.

Qysh në javën e parë të qëndrimit në Kosovë si eksperte e EULEX-it, Catherina Karin Brongers kishte vendosur që përmes fotografisë të sillte në vëmendje rrëfimet e pathëna të nëntë personave me aftësi të kufizuara. Kështu, Ndalore Lika, Medina Surdulli, Selim Maloku, Aldi Hoxha, Festim Gashi, Rron Sejdiu, Isuf Gashi, Drita Kluna dhe Albin Dulahu nuk ishin vetëm modele për t’u fiksuar nga aparati fotografik. Dikush në barin e gjelbër të një fushe futbolli, dikush duke notuar, një tjetër i buzëqeshur në shtëpi, ishin vetëm disa nga momentet e përjetësuara përmes artit të fotografisë.

Mbi dyzet fotografi të ndryshme të këtyre personave u shfaqën në ekspozitën “Embrace Me – Kosovo”, që u hap mbrëmjen e së martës në mjediset e “Shtëpisë së Evropës” në Prishtinë.

E sponsorizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, në bashkëpunim me “Europe House”, “Down Syndrome Kosova”, “Handi-Kos” dhe Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë (ANAK), fotografitë kanë shpërfaqur persona me aftësi të kufizuara që ballafaqohen me një jetë me sfida të vazhdueshme.

“Të kesh një paaftësi, çfarë do të thotë kjo në Kosovë? Secili ka të drejtën themelore për të qenë pjesë e shoqërisë, të shihet, të dëgjohet. A nuk është kjo ajo çfarë duam të gjithë”, thuhej në panon që u shpalos me rastin e hapjes së ekspozitës.

Në fjalën e saj, në ceremoninë e hapjes, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka falënderuar të pranishmit për praninë e tyre në ekspozitë.

Ajo ka thënë se fotografja, Catherina Karin Brongers, kishte punuar si eksperte në EULEX deri në muajin shtator të këtij viti. E përkushtimi i saj ka bërë që të dëgjohet edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Ndërkaq Catherina Karin Brongers ka treguar se si kishte filluar interesimi i saj për këta njerëz. Në vizitat që i kishte bërë kudo nëpër familjet e këtyre personave, ajo kishte parë vetëm dashuri nga ana e tyre.

Ekspozita me fotografi “Embrace Me – Kosovo” do të qëndrojë e hapur deri më 14 dhjetor

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)