Kulturë

Rihapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias

Prishtinë, 19 nëntor – Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias është rihapur të hënën për vizitorët. Për disa ditë, ashtu si krejt ngjarja e madhe e artit botëror qe mbyllur pas vërshimeve në qytet.

Këtë vit në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, Kosovën e ka prezantuar artisti Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Muja ka thënë se Pavijoni i Kosovës nuk ka pasur ndonjë dëmtim. Sipas tij, çdo gjë është gati për këtë javë të fundit. Madje këto ditë Muja do të udhëtojë në Venecia për të qenë pjesë e ceremonisë përmbyllëse, më 24 nëntor. Siç ishte paralajmëruar më parë, “Albumi familjar” vitin e ardhshëm do të zhvendoset edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Bienalja e Venecias përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur më 13 nëntor se ishte mbyllur. E njëjta kishte rihapur dyert më 14 nëntor. Atë ditë deri në mesditë, rreth orës 12:00, sipas të dhënave zyrtare, Bienalen e kishin vizituar rreth 1 mijë e 300 persona. Mirëpo që atëherë disa pavijone qëndrojnë të mbyllura. Pavijoni i Kosovës është rihapur të hënën e sot, sipas faqes zyrtare të Bienales, pritet që të rihapen edhe Pavijoni i Bosnjë-Hercegovinës, i Irlandës, Pakistanit dhe Republikës së San Marinos.

Tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim personal i artistit Alban Muja përthekojnë veprën “Family Album”. Fotografitë e videoinstalacionit të tij janë të realizuara para dy dekadash. Ajo e nënës Sherife Luta me vajzën e saj në krah, Besën, atëherë foshnjë, e babait të përlotur Xajë Mustafa, që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, Besimit dhe Jehonës, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe ajo e djaloshit mes telave gjemborë, Agim Shalës, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën. Besa, Besimi, Jehona dhe Agimi në videoinstalacion tregojnë përjetimet e tyre dhe të familjes. Si pikënisje të projektit artistik, artisti ka pasur një fotografi të veten si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll, Jose Maria Aznar.

Edhe shtatë ditë kanë mbetur deri në mbylljen e edicionit të 58-të të Bienales së Venecias që ishte hapur më 9 maj. Muja ka thënë se janë informuar se gjendja në Arsenale, ku gjendet Pavijoni i Kosovës, por edhe në qytet është përmirësuar.

Artisti 39-vjeçar ka folur edhe për shpalosjen e “Albumit familjar” në Prishtinë, të cilën e kishte bërë publike më 24 shtator, kur ishte bërë promovimin i katalogut të Pavijonit të Kosovës.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)