Kulturë

Shkrimtarja e librave për fëmijë, të ardhurat nga arti i jep për bamirësi

Nëpërmjet vargjeve, ajo komunikon me fëmijët.

Drenusha Zajmi-Hoxha është një prej shkrimtarëve që po i kontribuon letërsisë në Kosovë me libra për fëmijë dhe të rritur.

Dhjetëra poezi të saj janë pjesë e teksteve shkollore.

Kjo i jep ndjesi të papërshkrueshme Drenushës, e cila shpesh realizon edhe takime me nxënësit.

Librat e saj janë publikuar nga Botimet KOHA dhe të ardhurat nga shitja e tyre janë destinuar për kategori të margjinalizuara të fëmijëve.

Pas tre librave për fëmijë, ajo do ta sjellë librin e katërt që do të fokusohet në tekste të shfaqjeve për fëmijë.

Një miqësi akoma më të fort me lexuesin e ka krijuar nëpërmjet kolumneve të publikuara në gazetën Koha Ditore.

Aty, me plot humor dhe sarkazëm, pasqyron realitetin politik dhe social të vendit.

Drenusha, së fundmi, po e sfidon veten edhe në një fushë tjetër të artit.

Ambienti i saj i punës në Prizren, është rrethuar me piktura.

Drenusha Zajmi-Hoxha, e cila është juriste dhe menaxhon një biznes, planifikon që pikturat dhe librat e saj t’i përmbledhë në një galeri.